TFL vazhdon monitorimin e Bashkive Lezhë dhe Patos

Në kuadër të projektit  “Informim-Komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm, me fokus të veçantë mbi menaxhimin e mbetjeve urbane”, shoqata “Together for Life” organizoi 2 takime në bashkitë Lezhë dhe Patos. Gjatë takimeve u bë prezantimi i projektit si dhe u krijuan ura komunikimi me inspektorët e mjedisit, për të na informuar mbi gjendjen në terren se cilat janë zonat më problematike. Në qytetin e patosit, theksi u vu në ndotjen nga hidrokarburet si dhe në sistemin e kanalizimeve të ujërave të ndotura i cili në pjesën më të madhe është i bllokuar, si pasojë e vjetërsisë së tij.  Mjaft problematike paraqiten seksionet të cilat në mungesë të kuotave për të shkarkuar me gravitet, detyrojnë ujërat e ndotura që të flenë për një kohë të gjatë në seksionet e tubacioneve të kanalizimeve.

Në takim morri pjesë znj. Blerina Troka, eksperte mjedisi pranë bashkisë e cila foli për vend -depozitimin e mbetjeve urbane, i cili ndodhet 5 km larg nga qëndra e qytetit . “Ky vend-depozitim, duke mos përmbushur kriteret teknike të projektimit dhe funksionimit, rrezikon ndotjen e mjedisit, ndaj edhe ndërhyrja urgjente për rehabilitimin e kësaj sipërfaqeje dhe ndalimin e aktivitetit të depozitimit të mbetjeve paraqitet tepër urgjente.”, tha Troka. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për planet e bashkisë për përmirësimin e situatës dhe çfarë pritet të bëhet në të ardhmen.

Takimi i dytë u organizua në qytetin e Lezhës dhe kishte në qendër bisedimin me specialistët e pastrimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Bashkia Lezhë. Gjatë takimit u fol për menaxhimin e mbetjeve në qytetin e Lezhës, sfidat dhe rolin e qytetarëve në përmirësimin e situatës. Z. Ndue Lushi, drejtor i këtij institucioni, vuri theksin në rëndësinë që ka informimi dhe sensibilizimi i popullatës, si dhe përmendi dëmin që i shkakton mjedisit mos respektimi i ndarjes së mbetjeve në burim.

Gjatë takimit u diskutua për grykëderdhjet e lumenjve dhe mbeturinat të cilat deti i sjell në vijën bregdetare të plazhit të Shëngjinit duke shkaktuar ndotje mjedisore, si dhe për planet e Bashkisë, për menaxhimin e kësaj situate. Specialistët e pastrimit pranë këtij institucioni bënë publik projektin për menaxhimin e mbetjeve, duke theksuar se një hap cilësor është dhe standardizimi i shërbimit nëpërmjet ndarjes në 3 zona. Ata folën gjithashtu për takimet konsultative ku janë ftuar qytetarët dhe bizneset, në çdo njësi të qytetit si dhe theksuan faktin dhe pjesëmarrja e qytetarëve ishte e ulët. Gjatë bisedës u përmend fakti se supervizorët dhe administratorët e njësive kryejnë  monitorime të vazhdueshme për respektimin e ndarjes së mbetjeve në burim.  

Këto aktivitete u realizuan në kuadër të programit Senior Albania mbështetur nga REC Shqipëri dhe me fonde të Qeverisë Suedeze.

No Comments Yet.

Leave a comment