Aborti selektiv/ 117 milionë femra i “humbasin” botës çdo vit

Për "Shëndet+": Prof. Asoc. Dr. Rustem Celami, Obstetër Gjinekolog

Për të kuptuar më mirë problematikën e abortit, përkatësisht aborti selektiv për sa i përket gjinisë, duhet të kuptojmë termat kryesore për abortin dhe një panoramë të shkurtër historike dhe ligjore.

Aborti përkufizohet si ndërprerja e shtatzënisë deri në javën e 20 të barrës, referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por që në disa vende është deri në javën e 22 apo 24 të barrës, dhe më pak se 500 gramë që ky kriter i fundit është universal pothuajse në rang global. Aborti në disa vende nuk lejohet, ndërsa në disa vende të tjera lejohet dhe përcaktohet me ligj sipas legjislacioneve të vendeve të ndryshme. Në vendin tonë, pas viteve ‘90 janë ndryshuar, ridimensionuar dhe përditësuar disa ligje në lidhje me shëndetin e gruas, shëndetin riprodhues, duke përfshirë tematikën e abortit. Në të vërtetë, pas viteve ‘90 në shumë vende të botës ka pasur një ridimensionim për shëndetin riprodhues.

Zhvillimet në mjekësi dekadat e fundit, që në vitet ‘80, ‘90 dhe në vitet 2000, sidomos me aplikimin e teknologjisë së informacionit, teknologjisë elektronike dhe zhvillimet galopante në disiplinën e imazheri diagnostikës, pati ndikim thelbësor edhe në imazherinë diagnostike në obstetrikë, pra në ndjekjen e shtatzënisë. Në vendin tonë, ekzaminimet ekografike e kanë zanafillën në vitin 1985, dhe pas viteve ‘90 ekzaminimi ekografik në shtatzëni filloi të gjejë aplikim të gjerë, duke ardhur në ditët tona që nuk imagjinohet ndjekja e shtatzënisë pa ekzaminimin ekografik, megjithëse ky lloj ekzaminimi po merr një rol të tepruar, nëse mund të themi, sepse njohuritë, eksperienca dhe kompetenca profesionale e mjekut, në këtë rast mjekut obstetër gjinekolog, nuk mund të zëvendësohet me një ekzaminim ekografik, ku, sipas shumë protokolleve perëndimore mjekësore, bëhen 1 deri në 4 ekzaminime ekografike përgjatë gjithë shtatzënisë.

Sikurse u theksua më lart, zhvillimet e vrullshme të teknologjisë dhe aplikimi i teknologjisë në mjekësi, imazheri, respektivisht ekzaminimet ekografike në shtatzëni, kanë bërë që të përftohen imazhe të qarta të fetusit në mitër, duke e ngritur ndjekjen e shtatzënisë në nivele superior klinike dhe shkencore. Përftimi i imazheve në 2, 3 apo 4 dimensionale – duke i parë imazhet fetale në kohë reale, bën që të përftojmë shumë të dhëna të anatomisë fetale, që nga truri/koka, skeleti, trupi dhe ekstremitetet fetale.

Në këtë kontekst, paralelisht me këto zhvillime, u rrit edhe dëshira për informacion nga ana e pacientëve, prindërve të ardhshëm apo deri familjarëve të pacientëve, falë kjo edhe nga informacioni i aksesueshëm në masë nga njerëzit, për të dhëna/informacione online, e thënë më thjeshtë për t’u kuptuar më mirë, në internet. Në vazhdim të informacionit optimal të përftuar nga klinicistët në ekzaminimet imazherike në shtatzëni që në tremujorin e parë, ku edhe ka përfunduar formimi i përgjithshëm i organeve dhe rrjedhimisht pas javës së 10-të, referuar ditës së parë të periodave të fundit, mund të vizualizohen mjaftueshëm mirë organet fetale, por që një vlerësim më të hollësishëm e kërkojnë në ekzaminimin e javës 11-13 të shtatzënisë dhe pastaj në ekzaminimin ekografik në shtatzëni në muajin e 5-të, rreth javës së 20 të shtatzënisë, që quhet edhe ekografia anatomike fetale ose ndryshe ekografia morfologjike fetale.

Pra, që pas javës së 10 të shtatzënisë (java 11 - 13 + 6 ditë) ne mund të përftojmë imazhe fetale deri në përcaktimin e gjinisë së fetusit, neuroanatomine, vlerësojmë qartë ekstremitetet e fetusit apo strukturën e trupit, mushkëri, zemër, organet abdominale, si stomak, veshka, fshikëzën urinare fetale, që në disa vende të zhvilluan e quajnë ekzaminimi ekografik anatomik/morfologjik i hershëm, referuar ekzaminimit standard që bëhet në javën e 20 të shtatzënisë.

Në fakt ky ekzaminim ekografik nuk e ka në fokus dhe protokoll mjekësor përcaktimin e gjinisë fetale, e cila në shumicën e rasteve vlerësohet në disa javë më vonë, rreth javës së 16 të shtatzënisë, duke patur edhe një diferencim dhe imazh më të qartë të anatomisë së fetusit.

Këto përftime informacioni dhe zhvillimi në vetvete, kanë sjellë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, problematika të veçanta, si në rastin e abortit selektiv për gjininë, duke bërë shpesh herë që të reagojnë edhe institucionet përkatëse, deri duke krijuar vendime dhe ligje që ndalon informimin e pacientes, prindërve të ardhshëm për sa i përket gjinisë, duke e ritheksuar që nuk përbën interes klinik e shkencor.

Për sa i përket abortit në vetvete, referuar edhe të drejtave të pacientes, gruas shtatzënë, referuar edhe traktateve të ndryshme që pas Luftës së Dytë Botërore, pas fenomenit të “baby boom” (që i referohet rritjes së madhe të lindshmërisë), që korrespondon me periudhën 1940 –1965, entitetet shtetërorë të kujdesit shëndetësor, përfshirë edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, krijuan konsensusin për ridimensiomin e shëndetit riprodhues, planifikimin familjar, dhe shumë aspekte të tjera me të drejtat e grave për jetën seksuale, shërbimin shëndetësor, kujdesin përgjatë shtatzënisë etj. Një tjetër ridimensionim u arrit nga Kombet e Bashkuara në Konferencën Ndërkombëtare për Popullatën dhe Zhvillimin, që u mbajt në Kairo, Egjipt, në vitin 1994.

Në vazhdim, edhe në Shqipëri pati zhvillime për këtë aspekt edhe për sa i përket abortit, ku, për hir të së vërtetës, kishte iniciativa që në fund vitet 1980, për lejimin kondicional të abortit, dhe pas viteve ‘90, ekziston e drejta e informimit dhe ofrimit të shërbimit të gruas për të ndërprerë shtatzëninë deri në javën e 12 për arsye të ndryshme, me dëshirën e saj, duke i ofruar shërbim cilësorë dhe me standardet përkatëse për këtë procedurë, që në termin e përdorur quhet “Ndërprerje Vullnetare e Barrës – NVB”.

Më tej, ekzaminimi ekografik gjatë shtatzënisë pas viteve ‘90 u realizua gradualisht në pothuajse të gjithë maternitetet e rretheve në vend, dhe nuk ishte më si shërbim ekskluziv i materniteteve të Tiranës. Në shumë raste, sidomos pas viteve 2000, u shtuan edhe kabinetet mjekësore obstetrikale private dhe në këtë mënyrë shumë mjekë obstetër gjinekologë pajisën klinikat e tyre me aparate ekografie të standardeve të fundit, duke konkurruar ndjeshëm, pse jo duke lënë pas në cilësi përftimi imazhi edhe aparatet e materniteteve në maternitetet shtetërore, kuptohet që komercializimi i këtij shërbimi pati edhe shumë aspekte negative, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, por në tërësi ofrohej ekzaminim ekografik fetal me cilësi të paimagjinueshme dekada më parë për shumë klinicistë, duke ndikuar në një farë mënyre edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit, nëse mund të shikohet në këtë këndvështrim.

Përgjatë viteve ‘90, dhe sidomos në vitet 2000, pati edhe një interes më të shtuar nga ana e pacientëve për të ditur për gjininë e fetusit që në fund të tremujorit të parë të shtatzënisë dhe, sikurse e citova më lart, në funksion të komercializimit mjeku klinicist obstetër gjinekolog shpesh e referonte edhe gjininë e fetusit në ekzaminimin ekografik fetal. Kjo solli edhe një shtim të madh të numrit të aborteve, sidomos në kabinetet mjekësore private, në fillim të viteve 2000, duke bërë që të alarmohen strukturat shtetërore, edhe me sensibilizimin mediatik që po në këtë periudhë pati një zhvillim po aq të madh me aplikimin e teknologjisë së informacionit.

Për sa i përket abortit selektiv për arsye të gjinisë, nuk është vetëm një problem shqiptarë, sepse edhe në vende te ndryshme të botës pati të njëjtin efekt, dhe pati ndërhyrje në nivele kombëtare të vendeve përkatëse me miratimin e ligjeve specifike, si në rastin e Kinës, që nuk lejohej aborti dhe pasja më shumë se 1 fëmijë që ishte në fuqi që nga viti 1979 deri në vitin 2015.

Sipas të dhënave të fundit nga OBSH dhe UNFPA, rreth 117 milionë femra besohet të “humbasin” në Azi dhe Evropën Lindore (ku përfshihet edhe Shqipëria), si rezultat i preferencës së të pasurit një djalë, respektivisht për arsye të abortit selektiv gjinor. Pra, sipas këtyre të dhënave, 117 milionë fetuse femra nuk vijnë në jetë për arsye të abortit selektiv, e thënë ndryshe, diskriminimi gjinor qenka prezent dhe fillon që në mitër.

Sipas biologjisë normale humane, raporti i lindjeve mund të variojë nga 104 lindje meshkuj me 100 lindje femra, ndërkohë që sot kemi në raport lindje 130 meshkuj dhe 100 femra, sipas të dhënave në UNFPA.

Për sa i përket vendit tonë, nëse ekziston apo jo aborti selektiv në ditët e sotme, përgjigja e parë është PO. Pra, nëse do mjaftonte edhe një rast dhe do të quhej se ekziston, por, në të vërtetë, në ditët e sotme, referuar praktikës klinike të përditshme, shikohet që nuk ka një masivitet sikurse kishte në fund viteve ‘90 dhe fillim viteve 2000. Një problem shumë i madh është se në vendin tonë nuk kemi të dhëna të sakta për abortin, duke pasur shpesh herë edhe një mbulim klinik (pra një kamuflim diagnoze klinike), sidomos kur aborti ishte masiv në klinikat private, por sporadikisht kjo ka ndodhur edhe në maternitetet shtetërore. Sikurse u tha, që nuk kemi të dhëna të sakta institucionale për këtë problematikë, sikurse nuk kemi për një regjistër me të dhëna solide e të besueshme për shumë diagnoza e patologji të tjera.

Abortet selektive në përgjithësi sot ndodhin jashtë Tiranës, pra në qytete të tjera, sepse aty mund të realizohet me në konfidencialitet.

Por, nga ana tjetër, duhet përmendur se megjithëse aborti, në tërësi si abort, jo ai selektiv për gjininë, sepse gjinia nuk ishte e mundur të vlerësohej për mungesë aparature ekografie dhe ekspertize vlerësimi klinik, megjithëse ishte i ndaluar  përpara viteve ‘90, ka pasur aborte deri në rrezikim të jetës së pacientëve, si në abortet sepktive, perforacionet, apo komplikacione të tjera. Po ashtu, nga ana tjetër, ka pasur edhe rastet e përdhunimeve nga “monstrat” që mbanin pozicione kyçe në regjimin e para viteve ‘90, dhe aborti është kryer në një kod heshtje të plotë nga stafi mjekësor. Po ashtu, ka pasur edhe raste ku familjare të njerëzve me pushtet social e politik kanë pasur shtatzëni të padëshiruara, prishje fejesash apo martesash, e kështu është dashur që të ndërpritej edhe shtatzënia, po me të njëjtin kod heshtje.

Sipas të dhënave të UNFPA-së, nga përditësimet e fundit, në Shqipëri për 100 lindje vajza ishin 109 meshkuj. Pra, sikurse duket, nuk kemi ndonjë diference sinjifikative në raport për normalitetin biologjik të këtij raporti për 100 lindje femra të kishim afërsisht 102 – 106 meshkuj, tabela 1. Në të njëjtin raport kemi edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Tabela 1

Në muajin mars 2017, UNFPA së bashku me Bashkimin Evropian kanë adresuar një Program Global për të Parandaluar Preferencën e Meshkujve dhe Selektimin me Bazë Gjinore Seksi, që është edhe iniciativa e parë globale e kësaj natyre.

Një tjetër problem që po hasim në ditët e sotme është rënia në mënyrë darstike e lindjeve, ku sipas të dhënave të fundit, INSTAT, lindshmëria në vend bie në nivel më të ulët në këto 100 vite. Në vitin 2016 lindën më pak se 32 mijë foshnja në vend, që është edhe numri më i ulët i lindjeve që nga vitet 1930. Por që kjo e dhënë nuk ka lidhje me abortin selektiv me bazë gjinore seksi, sesa me problemet socio ekonomike dhe emigracionin masiv të popullatës së re në këto 2-3 dekada të fundit.

Bazuar në të dhënat nga INSTAT, lindjet sipas gjinisë prevalojnë lindjet sipas gjinisë mashkull në vitet 2012 – 2016, të dhëna që shprehen në tabelën 2, burimi INSTAT. Po ashtu, nga ana tjetër, nëse do t’i referohemi të dhënave zyrtare, INSTAT, kemi një rënie të numrit të aborteve të regjistruar në total (këto shifra nuk i referohen aspak abortit selektiv në vetvete) në vitet 2012 = 2016, tabela 3.

Tabela 3

Si përfundim, aborti selektiv është një problem që përfshin tërë shtetet e botës, përfshirë SHBA, Amerikën Latine, Azinë dhe Evropën, në mënyrë të pashmangshme përfshin edhe Shqipërinë. Gjithsesi, sipas të gjitha të dhënave, nuk kemi një fenomen masiv në vendin tonë, sikurse nuk kemi ndonjë demografi të mirëfilltë zonash në vend. Përderisa institucione ndërkombëtare vazhdojnë t’u bien kambanave dhe ndërmarrin iniciativa panbotërore për abortin selektiv me bazë gjinore seksi, duhet gjithnjë të ketë përditësime të legjislacionit dhe përcaktimin e kornizave profesionale e ligjore në raport me kohën, në mënyrë që të parandalojmë dhe minimizojmë këtë fenomen sa më shumë të mundemi./

No Comments Yet.

Leave a comment