Aborti selektiv me bazë gjinore në Shqipëri

Lexoni: English

Aborti selektiv me bazë gjinore në Shqipëri

Shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit «Forcimi i demokracisë në sistemin shëndetësor përmes respektimit të të drejtave të njeriut», i mbështetur financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, realizoi studimin “Aborti selektiv me bazë gjinore në Shqipëri”.

Ky studim synon të japë një panoramë të abortit selektiv në Shqipëri, shkaqet e këtij fenomeni, si dhe të japë rekomandime për ndryshime në nivel ligjor, por edhe në ngritjen e strukturave përkatëse për ta luftuar këtë fenomen.

Studimi mori shkas nga të dhënat e publikuara në rang vendi, në të cilat rezulton se që nga vitet '90, në Shqipëri lindin shumë më tepër meshkuj sesa femra duke kaluar raportin natyral të lindjes. Rezulton se qarqe si Gjirokastra, Korça, Kukësi dhe Lezha e kanë raportin meshkuj-femra mbi 1,11, që nënkupton 111 djem për 100 vajza, ndërkohë që raporti natyral është 105 djem për 100 vajza. 

Mbledhja e të dhënave u bazua në kombinimin midis rishikimit të informacionit ekzistues dhe të dhënave sasiore e cilësore.

Studimi sasior u fokusua në intervista me popullsinë e përgjithshme (1579 persona), kryesisht prindër me dy ose më shumë fëmijës, si dhe stafin mjekësor (200 obstetër, gjinekologë dhe mami). Mbledhja e të dhënave u krye gjatë periudhës janar - mars 2018.

Studimi cilësor pati katërmbëdhjetë (14) fokus-grupe. Ato u fokusuan kryesisht në gra të martuara mbi 25 vjeç. Disa nga fokus-grupet patën vetëm pjesëmarrës meshkuj. Gjithashtu, gjatë periudhës janar - prill 2018 u realizuan dhjetë (10) intervista të thelluara me gra të cilat kanë përjetuar abort selektiv.

Gjetje dhe analizë

Rezultatet e dala provuan tërësisht se shkaqet e këtij raporti jonatyral lidheshin drejtpërdrejt me abortin selektiv.

Sipas të dhënave, 745 nga 1579 të intervistuar, që përkthehet në 47% të tyre, kishin dëgjuar për të afërm që kishte kryer abort selektiv. Për më tepër, sipas të dhënave të mbledhura, në 42% të rasteve abortet ishin realizuar në spital/klinikë private, në 35% të rasteve në maternitet publike dhe në 15% të rasteve në ambientet e shtëpisë!!!

Ekzistenca e abortit selektiv mbështetet shumë edhe në deklaratat e dhëna nga stafi mjekësor në Shqipëri. Nga kampioni prej 200 mjekësh obstetër e gjinekologë, si dhe mami të pyetur në Tiranë, Gjirokastër, Lezhë, Kukës dhe Korçë, të gjithë kanë pranuar se në vendin tonë kryhen aborte selektive. Tetëdhjetë e shtatë për qind (87%) e tyre deklarojnë se çiftet shfaqin një preferencë të theksuar për gjininë mashkullore dhe kjo preferencë rezulton se është shumë e theksuar tek burri me shtatëdhjetë e pesë për qind (75%) të rasteve.

Pesëdhjetë e shtatë për qind (57%) e stafit mjekësor e konsiderojnë abortin selektiv si të pranishëm në vend, ndërkohë që 1 në 2 prej tyre pohojnë se janë përballur të paktën një herë me identifikimin e abortit si zgjidhje e mundshme kur gjinia ishte e padëshiruar nga prindërit.

Rekomandime

Duke vlerësuar një çështje kaq të rëndësishme, "Together for Life" rekomandon:

  1. Të bëhen ndryshime në ligjin 8045, ku të shkruhet dhe shprehet qartë se ndëshkohet ndërprerja e shtatzënisë për arsye të përzgjedhjes së gjinisë, si dhe të rishikohet afati 7-ditor në ligj. Përfshirja në ligj e ndëshkimit në rastet e ndërprerjes së shtatzënisë për shkak të gjinisë do të sjellë një drojë më të madhe të stafit shëndetësor për t'u bërë palë në abortet selektive. Gjithashtu afati 7-ditor, i cili rezulton se në një total të përgjithshëm nuk zbatohet as në maternitetet private dhe as në ato shtetërore, duhet rishikuar, sepse ka humbur synimin e vet.
  2. Rekomandohet që në ligjin 8045 të bëhet i detyrueshëm raportimi i gjinisë së fetusit në të gjitha ndërprerjet e shtatzënësisë nga mjeku që kryen ndërprerjen. Kjo do të sillte një kuptueshmëri më të lartë të situatës së aborteve selektive në vendin tonë.

Ndryshimet në ligj duhet të propozohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në bashkëpunim me shoqërinë civile, ndërkohë që miratohen nga parlamenti. Për shkak të gjerësisë së problemit dhe përhapjes së madhe të abortit selektiv, është e rëndësishme që ministria të veprojë brenda vitit pasardhës (2019) për të çuar propozimin në parlament dhe për të ndryshuar ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë.

3. Është i rëndësishëm të bëhet i detyrueshëm raportimi nga personeli mjekësor i të gjitha rasteve kur kërkohet të kryhet një abort selektiv. Një gjë e tillë mund të realizohet me urdhër nga Ministri i Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.

4. Rekomandohet ngritja e një sistemi referimi të unifikuar dhe të detyruar të aborteve midis materniteteve publike dhe private, klinikave private dhe institucioneve shëndetësore. Ky sistem mund të realizohet me urdhër ministri (njësoj si sistemi i referimit për pacientët). Të aplikohen ndëshkimet në rastet kur ky sistem nuk respektohet nga institucionet përkatëse të përfshira në të.

5. Është e rëndësishme që të rregullohet me ligj (rregullore) monitorimi i të gjitha institucioneve publike dhe private që kryejnë aborte. Të detyrohet Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror që të kryejë në këto institucione inspektime të befasishme për abortet pa paralajmërim (edhe nëse nuk ka denoncim).

6. Të prodhohen nga Instituti i Statistikave dhe të raportohen statistika të disagreguara sipas gjinisë mbi abortin nga institucionet përgjegjëse publike e private që kryejnë abort. Të rikthehet raportimi i këtij diasgregimi sipas qyteteve.

7. Të rishikohet strategjia kombëtare e barazisë gjinore, duke e futur luftën ndaj abortit selektiv si çështje të diskriminimit gjinor. Duke qenë se strategjia aktuale përfundon afatin e saj në vitin 2020, rekomandohet që strategjia e ardhshme 5-vjeçare 2021-2025 të ketë të përfshirë në të edhe çështjet e abortit selektiv si pjesë e dhunës ndaj femrës dhe e diskriminimit gjinor, duke i dhënë rëndësinë që i takon. Qeveria/vendimarrësit mund të mbështeten nga shoqëria civile me materiale dhe argumente shtesë, që do të përdoren si mbështetëse në hartimin e strategjisë.

8. Edukimi, informimi dhe ndërgjegjësimi janë një pjesë shumë e rëndësishme në luftën kundër diskriminimit gjinor, si dhe abortit selektiv si pjesë e tij. Si rrjedhojë rekomandohet:

  • Të analizohen dhe aplikohen metodat më të mira për shpërndarjen e materialeve informuese, edukuese dhe sensibilizuese mbi abortin selektiv në popullatë. Qëllimi është që materialet edukuese të “arrijnë” tek çdo individ në popullatë. Pjesëmarrja e shoqërisë civile dhe medias është një vlerë e shtuar (rrjeti dhe përvoja e tyre duhen marrë në konsideratë)
  • Instituti i Shëndetit Publik të hartojë dhe shpërndajë materialet informuese, edukuese dhe sensibilizuese mbi abortin selektiv.
  • Të monitorohet impakti i këtyre materialeve informuese mbi abortin selektiv në popullatë. Të konsiderohet si një mekanizëm feed-back

9. Të trajnohen punonjësit e shërbimit parësor, konsultori i nënës dhe fëmijës, si dhe infermieret në të gjitha Qendrat Shëndetësore për të bërë punë edukuese me popullatën që ato mbulojnë në lidhje me abortin selektiv.

10. Të hartohen politika/strategji të cilat të nxisin lindshmërinë (politika pro-nataliste,duke aplikuar edhe incentiva psh: për familjet me mbi tre femijë, etj). Shqipëria ka një popullsi që po shkon në plakje. Është e rëndësishme të nxitet lindshmëria përmes politikave shtetërore.

Sipas ligjit 8045 "Për ndërprerjen e shtatzënisë", Neni 6: NDoktori kërkon një konfirmim me shkrim të kërkesës për abort. Ky konfirmim kërkohet pasi të kenë kaluar të paktën 7 ditë nga kërkesa e parë me gojë. Kjo është shkruar në ligj me qëllim që t'i japë kohë nënës të mendojë edhe një herë para abortit. Por, praktika ka treguar se ky afat 7-ditor nuk aplikohet siç duhet. Zakonisht ky afat perceptohet si një përgjigje negative nga mjekët e spitalit publik dhe gratë i drejtohen spitaleve private, të cilat zakonisht nuk raportojnë gjëkundi lidhur me numrin e aborteve të kryera.

No Comments Yet.

Leave a comment