ABSA, zëri i interesave dhe mundësive të industrisë BPO

Denisa Canameti

Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se të rinjtë nuk e gjejnë veten në tregun e punës, dhe kjo nxit papunësinë tek të rinjtë apo largimin e tyre nga vendi. Nga ana tjetër, na vjen e njohur shprehja “Punë ka, por nuk ka profesionistë”! Në fakt, a mungojnë vendet e punës në Shqipëri apo mungojnë të rinjtë e kualifikuar? Secili pohim mund të konsiderohet i vërtetë, në varësi të natyrës së diskutimit.

Brenda këtij materiali nuk do të përpiqemi t’i japim përgjigje kësaj dileme, por do të lexoni për një sektor i cili po krijon mjaft hapësira punësimi për të rinjtë e kualifikuar. Sektori BPO (Sektori i Nënkontraktimeve të Shërbimeve të Biznesit), punëson mijëra punëkërkues të papunë, shumica prej të cilëve me arsim të lartë universitar dhe pasuniversitar.

Aktualisht kemi mjaft industri (modele dhe raste suksesi) që ofrojnë shërbime në vendin tonë, në disa fusha, si: IT, Shërbime juridike, rekrutime, marketing, web design e shumë të tjera që përfshihen brenda sektorit.

Sigurisht që ky sektor shoqërohet me mjaft problematika, për të cilat duhet të flitet dhe lobohet. Këshilli i Investimeve, në një studim të posaçëm për fuqinë punëtore dhe mundësitë që ofron Shqipëria për këto lloj investimesh, thekson se informaliteti ka dëmtuar imazhin, standardin dhe rregullat e tregut të sektorit. Njohuritë për “aftësitë e avancuara” janë kritike për performancën e biznesit, ndërkohë që rezulton se ka një “hendek” me cilësinë e kurrikulave në nivele të caktuara të edukimit.

Sektori BPO duhet të përfaqësohet! Për të zhvilluar një industri si BPO është i nevojshëm një mekanizëm koordinimi dhe pjesëmarrja e shumë aktorëve. Një hallkë shumë e rëndësishme e këtij procesi janë edhe shoqatat, si organizime të ligjshme që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e sektorit në tregun e operimit.

Shoqata Shqiptare të Shërbimeve të Biznesit (Albania Business Services Association- ABSA), nën drejtimin e znj. Arjodita Rraboshta, prej disa vitesh është angazhuar në promovimin, dëgjimin dhe lobimin për industrinë BPO brenda dhe jashtë vendit.

Promovimi i potencialit të sektorit BPO është një element mjaft i  rëndësishëm, të cilin ABSA po e bën edhe me mbështetjen e qeverisë zvicerane përmes projektit RisiAlbania. 

Në një intervistë për lexuesin e gazetës Shëndet Plus, znj. Rraboshta flet lidhur me rolin që do të luajë kjo shoqatë në rregullimin e kësaj industrie, sfidat, potencialet e zhvillimit të BPO në vendin tonë, numrin e të rinjve të punësuar, rastet e suksesit etj.

Së fundmi, në listën e shoqatave të biznesit është shtuar edhe ABSA. Çfarë është kjo shoqatë, kur është krijuar dhe cili është historiku që mbartin anëtarët e saj të cilët vlerësuan të nevojshme praninë e një shoqate të tillë?

ABSA, prej disa vitesh tani, është shoqata që po përfaqëson Sektorin e BPO-së në promovimin, dëgjimin dhe lobimin e tyre brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, në një kuptim më të gjerë të potencialit të përfitimit që të tilla industri sjellin.

Mungesa e një përfaqësimi efektiv i BPO-ve në tregun e operimit ka qenë pikërisht një prej shtysave që një pjesë e këtij anëtarësimi ka zgjedhur të identifikojë veten nëpërmjet nesh. ABSA nuk është organizata e një grupi të ngushtë biznesesh dhe punëdhënësish, por zëri i interesave dhe oportuniteteve të industrisë.

Cili është vizioni juaj për Shoqatën Shqiptare të Shërbimeve të Biznesit

  • Advokimi i interesave dhe zhvillimit të mëtejshëm të bizneseve, si dhe zhvillimit të avantazheve krahasuese të industrisë
  • Strategji dhe politika favorizuese për tërheqjen e investimeve të huaja
  • Përkrahja dhe përfshirja ne skemën për bizneset me potencial për zhvillimin strategjik.
  • Lobimi i interesave dhe më tej.

Cili është roli që mendoni se do të ketë shoqata në rregullimin e kësaj industrie, sigurisht brenda kompetencave të saj?

Këtu ka nevojë për më shumë punë dhe bashkëpunim me institucionet private dhe publike të arsimit të mesëm dhe të lartë, për të krijuar ura bashkëpunimi me qëllim që të përgatisim forcë të kualifikuar pune konkurruese, sipas standardeve ndërkombëtare. Midis interesave të bizneseve dhe interesave të institucioneve, si publike ashtu edhe ato private, deri më sot ka pasur një marrëdhënie të dobët ose të vakët, e cila ka ndikuar në zhvillimit e sektorit të BPO-ve. Pra, një prej roleve kryesore ka për të qenë edhe ndërmjetësimi.

Pse ishte e nevojshme ngritja e një shoqate të tillë? Çfarë dikton tregu dhe prirja aktuale e biznesit (orientimi drejt BPO)?

Sot po shohim që tregut po i hasen probleme në rezistimin në kohë të bizneseve BPO, e kjo për arsye të ndryshme.

Për të kuptuar këtë, është e  nevojshme pikë së pari studimi i detajuar i tregut, identifikimi i problemit, gjetja e instancave dhe strategjive përkatëse, deri në zgjidhjen e problemit. Një biznes i vetëm e ka jo gjithmonë të mundur për ta bërë këtë në kohë reale, duke menaxhuar kështu edhe riskun. Nga ana tjetër janë punonjësit e kualifikuar dhe mbajtja e tyre për një kohë të gjatë në punë.

Cilat janë potencialet e zhvillimit të sektorit BPO në vendin tonë dhe a ka pasur një diversifikim të investimeve të huaja në Shqipëri kohët e fundit?

Shqipëria mund të jetë një destinacion “partner” nearshore për vendndodhje më të maturuara. Për shkak të aftësive shumëgjuhëshe, ajo mund të fokusohet në eksportimin e shërbimeve BPO zanore dhe jo-zanore në vende të tjera, si Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Për të përfituar nga dhuntitë aktuale në financë dhe kontabilitet, ofruesit e shërbimeve mund të fokusohen në eksportimin e më shumë proceseve transaksionale si F&K (Financë & Kontabilitet). I gjithë vendi ka aftësi në lulëzim për sa i përket eksportit në proceset digjitale, si teknologjitë e sigurta të transferimit të monedhave.

Është thënë se e industria e nën-kontraktimit në Shqipëri ka varësi nga tregu italian. Sa qëndron aktualisht ky pohim?

Në rast se jemi duke iu referuar Call Center-ave, që u krijuan si investime të kompanive italiane, ato janë vetëm njëri prej sektorëve të BPO-ve. Sot sektori i BPO-ve ofron një gamë shumë të gjerë shërbimesh.  Tanimë në treg ka hyrë edhe  diversifikimi lingual, i cili është zgjeruar dhe nuk ka në fokus të vetëm tregun italian.

Sa e rrezikshme është varësia nga një treg i vetëm në  industrinë e sotme të shërbimeve të nënkontraktimit?

Monopolizimi i tregut normalisht sjell uljen e konkurrencës dhe kjo më tej në një zhvillim të ngadalësuar të bizneseve.

A mund të identifikohet një sektor që ka hyrë së fundmi në treg (është pak i njohur) dhe që është potencial për zhvillim?

BPO-të në Shqipëri ishin fokusuar deri dje sidomos në shitje dhe marketing. Ajo çfarë po ndodh sot është pasurimi i këtij sektori edhe në sektorë apo industri të tjera, si ajo e IT, menaxhime sistemesh, shërbimesh informative bankare, shërbime ligjore etj. Me këtë ritëm, sektori ka një potencial punësimi akoma më të madh për t’u realizuar në vitet e ardhshme.

Ka ende hapësirë për këtë industri që të rritet dhe të zgjerojë shërbimet me vlerë të shtuar dhe të punësojë më shumë të rinj. Përfitimet nga zhvillimi i kësaj industrie janë një potencial i lartë për punësimin e të rinjve, të cilët kanë arsim të ndryshëm si biznes, financë, ligj, të cilat gjejnë vështirësi për t'u punësuar në kompani të tjera, mund të punësohen në kompanitë BPO që ofrojnë shërbime me vlerë të shtuar. Ky është një sektor i orientuar drejt eksporteve, të cilat së bashku me sektorët e tjerë të ekonomisë, si turizmi, po ndihmon ekonominë shqiptare për të diversifikuar portofolin e saj. Jo vetëm industrinë e prodhimit dhe minierave, por edhe sektorët e shërbimeve.

Si mendoni se është klima aktuale e biznesit për mirëpritjen e këtij sektori?

Bizneset sot janë të hapura ndaj çfarëdolloj investimi. Nevoja për zbulimin e tregjeve të reja lidhet ngushtë me kërkesat për fuqi punëtore të lirë dhe të kualifikuar. Shqipëria, në krahasim me vendet e rajonit, si Maqedonia dhe Mal i Zi, ka popullsi më të re, me aftësi për të përthithur dhe për t’u përshtatur shpejt me kërkesat e tregut, qytete të pa-eksploruara dhe me kosto të lirë ambientesh.

Sa potencial ka Shqipëria për të krijuar një sektor të qëndrueshëm të Biznesit të Nënkontraktimeve (Business Process Outsourcing) si dhe të rrisë prezencën e saj në tregun evropian të BPO-së?

Siç kemi folur edhe më parë, Shqipëria ofron kapital njerëzor pune relativisht të lirë dhe kosto operative të reduktuara krahasuar me destinacionet e tjera, në veçanti me vendet e Evropës Lindore; disponon potencial relativisht të rëndësishëm dhe të pashfrytëzuar për gjuhët dhe ka shumë potencial për fuqizimin e aftësive të popullsisë për gjuhët e huaja; vendi është një destinacion afër bregut për të gjitha vendet evropiane, si dhe ka një afërsi kulturore me shumë vende perëndimore.

Ku e shihni pozicionin e të rinjve brenda këtij sektori? Të rinjtë kanë nevojë për industrinë e nënkontraktimit, apo industria e nënkontraktimit ka nevojë për të rinjtë?

Ne jemi një vend me pothuajse 25% të rinj, me energji, mundësi dhe potenciale të reja. Marrëdhënia është e ndërvarur. Të dy aktorët kanë nevojë për njëri-tjetrin, po aq sa tregu ka nevojë për ata.

Sa është  numri i profesionistëve që po punëson aktualisht sektori BPO në Shqipëri?

Problematika më e madhe që po trajton edhe vet shoqata gjatë kësaj kohe është kategorizimi i sektorëve dhe mosnjohja e tyre brenda sektorit të BPO-ve.

Kjo sjell një numër jo zyrtar të profesionistëve brenda sektorit. Por, sipas INSTAT-it, në 2017 numri i të punësuarve në sektorin e telemarketingut, pjesë e industrisë BPO, arrin 25 000 – 30 000 të punësuar.

A mund të flitet sot për raste suksesi brenda kësaj industrie? A ka shoqata profile të rinjsh të cilët mund të konsiderohen model dhe mbështesin atë çka thamë për domosdoshmërinë e zhvillimit të BPO-ve?

Vetë zhvillimi dhe progresi i kësaj industrie mund të konsiderohen më vete si një model suksesi. Patjetër që gjatë zhvillimit të kësaj industrisë profilet e të rinjve të suksesshëm janë të shumtë, në fusha të ndryshme si: industria e teknologjisë së informacioneve, shërbimet juridike, rekrutime, marketingu, web design-i, e shumë e shumë të tjera pastaj që përfshihen brenda sektorit.

A mund të ndani me ne një profil të tillë?

Me emra konkretë nuk do doja të prononcohesha, pasi së shpejti do të jenë ata që do flasin për veten dhe suksesin e tyre, por jam krenare që suporti im i ka ndihmuar sadopak në rritjen e kapaciteteve dhe motivimin e tyre.

No Comments Yet.

Leave a comment