BPO të mbështetet me politika zhvillimore, frenon emigrimin e të rinjve

Eksperti i ekonomisë z. Kastriot Sulka, flet për zhvillimin e sektorit të shërbimeve të nënkontraktuara BPO në vendin tonë, cili ka qenë roli i këtij sektori në ekonominë e vendit dhe cili është roli i tij sot, si dhe mundësitë që  sektori i BPO jep, jo vetëm për punësimin e të rinjve, por edhe për zhvillimin e tyre në karrierë.

Z. Sulka, ju jeni një nga ekspretët që e njihni më mirë sektorin e punësimit, pasi që nga fillimi i viteve ‘90 keni mbajtur poste të rëndësishme në institucionet qendrore përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë. Cili është për ju zhvillimi më i rëndësishëm në tregun e punës në këto 30 vjet?

Është shumë e rëndësishme të kuptohet që Shqipëria ka pasur një avantazh shumë të madh ekonomik, që i bashkëngjitet veçanërisht tregut të punës, që ka të bëjë me moshën e re të popullsisë. Në të gjitha raportet dhe studimet që i referohen situatës së pas viteve ’90, mosha e re dhe potenciali që ajo mbart konsiderohej një nga asetet më të mëdha, mbi të cilat do të duhej të ishin ngritur mekanizma efikase që do të lehtësonin përfshirjen në tregun aktiv të punës të kësaj fuqie punëtore. Tkurrja e popullsisë dhe, për pasojë, tkurrja e vetë tregut të punës është, për fat të keq, zhvillimi më i ‘rëndësishëm’ në tregun e punës. Kjo tkurrje është pasojë e dy zhvillimeve, njëra që mund të konsiderohet “mekanike”, dhe këtu nënkuptoj emigrimin, si dhe “natyrale”, që ka të bëjë me zhvillimet demografike.
Emigracioni mund të konsiderohet si një element pozitiv, përsa kohë është i “kontrolluar”, pra që shërben për të zvogëluar efektet negative të një ekonomie, e cila nuk performon mirë (rastet e krizave ekonomike ose krizave të tjera) ose si një katalizator të ardhurash që nuk shërbejnë vetëm si remitanca për të mbajtuar familjen, por veçanërisht për të investuar në vend. Po ashtu, emigracioni i jep një frymëmarrje të re dhe më konkuruese tregut të punës, pasi rikthimi i emigrantëve nuk do të thotë vetëm kapitale të investuara, por edhe fuqi punëtore e kualifikuar.

A njihej sektori i shërbimeve të nënkontraktuara në vitet 1990-2000 dhe sa prioritet kishte ai në politikat shtetërore?
Sektori i shërbimeve të nënkontraktuara nuk ka pasur shtrirje të gjerë dhe nuk ka qenë prioritet i ekonomisë në atë periudhë. Edhe pse konsiderohet si një sektor jo aq i “sofistikuar”, për zhvillimin e kësaj dege të industrisë së shërbimeve kërkohen disa kushte, ku më elementarja ka të bëjë me shkallën e njohurive të gjuhëve të huaja të punëmarrësve, duke vazhduar më tej investimet në infrastrukturë.

Sot, digjitalizimi është një nga katër sektorët potencialë të vendit dhe prioritar për investime për 2019-n, krahas agropërpunimit, turizmit dhe burimeve natyrore. Si e interpretoni ju këtë zhvillim të ekonomisë?
Digjitalizimi është një nga mundësitë e jashtëzakonshme që krijohen për t’u zhvilluar edhe në vende jo shumë të zhvilluara ose vendet në zhvillim. Kjo për arsyen e thjeshtë se krijon kushte shumë të mira punësimi jo vetëm për individet me arsim të lartë, por edhe për ata me arsim të mesëm profesional. Së dyti, është i pavarur nga zhvillimet e vendit nga pikpamja ekonomike, pra mund të zhvillosh aktivitetin tënd ekonomik si firmë apo kompani edhe në një ishull, mjaft që të kesh internet. Nga ky këndvështrim, nevojitet që prioritet të jetë rritja e investimeve serioze për shkolla dhe kurse, si dhe hartimi dhe zbatimi i politikave nxitëse për të gjithë zinxhirin përkatës të zhvillimit (taksim i kujdesshëm për të ardhurat e punëmarrësve, ndërtim i qendrave të zhvillimit dixhital me kosto të ulet ose zero për të rinjtë, etj)

Që nga 1995 Shqipëria ka patur një Ligj të veçantë ‘Për Nxitjen e Punësimit’ dhe në mars të vitit 2019-s Kuvendi miratoi një ligjin të ri: Si kanë ndryshuar objektivat e këtij ligji? Kush janë kategoritë që do të mbështeten me prioritet për t’u punësuar?

Ndërtimi i skemave për nxitjen e punësimit ka filluar që në bashkëpunimet e para me Bankën Botërore, kur ngritëm Fondin e Nxitjes së Trainimit, Punësimit dhe Ndërmarrjeve (TEEF), me qëllim për të ndërhyrë në tregun e punës. Kjo ndërhyrje ishte e fokusuar tek riintegrimi i personat që dilnin të papunë, duke krijuar edhe inkubatorë biznesi për nxitjen e sipërmarrjes. Më vonë kjo skemë mori trajtën e një politike nëpërmjet hartimit dhe miratimit të ligjit “Për Nxitjen e Punësimit”. Në fillimet e saj skema ishte më gjeneraliste, synonte që të lehtësonte riintegrimin e personave që dolën të papunë nga reforma ekonomike pas ’90-ës si dhe ata që i përkisnin shtresës së të përndjekurve. Më vonë u fokusua tek grupet e disavantazhuara të shoqërisë, siç ishin të papunët afatgjatë, personat në ndihmë ekonomike. Më vonë fokusi ishte më i specializuar për rastet e personave me aftësi te kufizuara, femrat e trafikuara apo të abuzuara. Gjithmonë ka qenë prioritet punësimi dhe nxitja e punësimit për të rinjtë, por në funksion të zhvillimeve dhe problemeve që haste shoqëria në faza të ndryshme, kishim edhe mbështetje për kategoritë përkatëse, siç ishte rasti i përfshirjes në këto skema të emigrantëve që filluan të riktheheshin në atdhe veçanërisht pas liberalizimit të vizave. Sot janë përfshirë në grupet që mbështeten edhe personat nga komuniti rom, gratë e divorcuara, etj. Mbetet për t’u parë se sa do të jetë fondi që do të vihet në dispozicion të këtyre skemave, pasi nevojat janë shumë të mëdha dhe mundësitë që ofrohen janë të pakta, sidomos krahasuar me vendet e Rajonit.

A mendoni se do të ndikojë zhvillimi i këtij sektori (BPO) në frenimin e tendencës së të rinjve për t’u larguar nga vendi dhe në ç’mënyrë?

Sektori (BPO) është një sektor tipik që ndihmon në punësimin e të rinjve dhe, për pasojë, zbut jashtëzakonisht shumë tendencën e këtij grupi personash për të emigruar, ose të paktën i bën ata që të mos jenë në gjendje emergjence kur marrin vendime për t’u larguar. Së dyti, edhe kur marrin vendim për t’u larguar, ata kanë një përvojë pune dhe këtë gjë mund ta përdorin në disa pozicione pune në tregun e huaj, sidomos në shërbime.

Sektori i BPO-ve pengohet nga një sërë faktorësh që lidhen me informalitetin dhe jostabilitetin e fuqisë punëtore, cilat janë disa nga masat që, sipas jush, mund të merren për t’u përmirësuar në këtë drejtim?
Si shkak i rëndësishëm i emigrimit të të rinjve tashmë nuk evidentohet vetëm mungesa e punësimit, por edhe niveli i ulët i pagesave të ofruara në të gjithë sektorët e ekonomisë, krahasimisht me pozicione të ngjashme në secilin prej vendeve të Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, do të ishte mirë që punësimi i të rinjve të shoqerohej edhe me një vëmendje shtesë të shtetit, nëpërmjet krijimit të kushteve më të mira. Mund të fillohej me reduktimin e taksës mbi të ardhurat, që do të nënkuptonte jo vetëm shtesë të ardhurash për të rinjtë e punësuar në këtë sektor (dhe jo vetëm), por edhe vëmendje dhe vlerësim të shtuar për ta.
Mendoj se do të ishte në interesin e shtetit që të ndërtohet një fushatë intensive për rolin, dobinë dhe mundësitë e zhvillimit të kapaciteteve të fuqisë punëtore në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, duke bërë jo vetëm promocion, por edhe duke i subvencionuar të rinjtë që përfshihen në këtë sektor. Kjo gjë do t’i krijonte kushte më të mira dhe stabile personave të përfshirë në sektorin e BPO dhe do ta bënte atë më formal.

Në një analizë për sistemin arsimor dhe përshtatjen e tij me kërkesën e BPO-ve, është konstatuar se shkollimi nuk përputhet me nevojat specifike të tregut të punës; Ka mospërputhje të kurrikulave. Cilat janë disa nga masat që ju sugjeroni se duhen marrë për të patur një përshtatje më të mirë të arsimit me nevojat e tregut?
Mendoj se mund të konsiderohet e “natyrshme” që të mos ketë një përputhje të nevojave për aftësitë e kërkuara në sektorin e BPO, me aftësitë që fitohen në shkollat dhe qendrat e kualifikimit, pasi nuk ekziston ende një profil i saktë për pozicione të caktuara pune, aq më pak i aprovuar nga strukturat shtetërore përkatëse. Përcaktimi i detajuar i çdo profili në sektorin e BPO do të ndihmonte shkollat dhe qendrat e kualifikimit që të ndërtonin nga e para ose të adaptonin kurrikulat përkatëse për secilin profil pune. Së dyti, do të ishte mirë që pjesëmarrja në këto kurse të subvencionohej nga shteti dhe, si fillim, mund të ofrohej nëpërmjet skemave “on-job training”. Paralelisht, të ndërtoheshin programet për shkollat e mesme profesionale, ku imperative do të ishte përfshirja e përfaqësuesve të biznesit të BPO-ve. Përfshirja do të ishte e domosdoshme jo vetëm në fazën e hartimit të programeve dhe kurrikulave, por edhe në përfundim të ciklit mësimor, pra gjatë procesit të testimit të nxënësve, çka do të krijonte një besueshmëri të të dy krahëve, të shkollës dhe biznesit.  

Sa po i ndihmon politikat dhe përpjekjet e qeverisë për punësimin e të rinjve sektori BPO, dhe sa të qëndrueshëm e shihni për Shqipërinë?


Sikurse e përmenda më parë, sektori i BPO është një mundësi jo vetëm për punësimin e të rinjve, por edhe për zhvillimin e tyre në karrierë. Aspekti tjetër pozitiv është edhe fakti se në këtë sektor punësohet ajo ‘fasho’ e të rinjve që kanë investuar tek vetja (janë minimalisht me shkollë të mesme dhe njohuri në gjuhët e huaja).
Në mënyrë që të mos mbetet si një sektor i dorës së dytë, BPO duhet të mbështetet me politika zhvillimore, duke nxitur investimet në të, me qëllim që të punësuarit në këtë sektor të mos e shohin punën aty si të përkohshme dhe pa prespektivë, por ta konsiderojnë si një mundësi për t’u ngritur profesionalisht dhe për të ecur karrierë.  

 

No Comments Yet.

Leave a comment