Gjykata konfirmon diskriminimin e pacientit me hemofili; rrëzohet kërkesë-padia e MShMS

Lexoni: English

Sot, në dt. 18.06.2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur rrëzimin e kërkesë-padisë së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS), për shfuqizimin e Vendimit nr. 17, dt. 05.02.2019, të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Në këtë Vendim, Komisioneri kishte konstatuar: ”Diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar të z. Besart Nezaj, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendrës Spitalore Tiranë; marrjen e masave të menjëhershme nga të dy institucionet e mësipërme, për trajtimin e pacientit Besart Nezaj, me sasinë e rekomanduar nga mjeku Hematolog të dedikamentit Faktor IX...”

Komisioneri është vënë në lëvizje me ankesën për diskriminim të paraqitur nga pacienti Besart Nezaj, i cili u përfaqësua ligjërisht pranë këtij institucioni si dhe në gjykatë nga Shoqata Together for Life.

Mosmarrja e rregullt e medikamentit Faktorit IX dhe mungesa e profilaksisë ka shkaktuar pacientit dëmtime të pjesshme të përhershme të shëndetit si rezultat i mungesës së protokolleve klinike, vonesa në diagnostikimin dhe mjekimin duke sjellë përshpejtimin e rëndimit të gjëndjes, përkeqësim progresiv të nyjeve dhe muskujve me humbje të rëndë të funksionit për shkak të humbjes së lëvizjeve, atrofia muskulare, dhimbje dhe deformim i artikulacionit me kontrakturë, përsëritje të hemarthrozave duke kaluar në arthropathy chronice hemolitike.

Aktualisht, pacienti Besart Nezaj paraqet komplikacione të ndryshme nga sëmundja bazë, kryesisht hemarthroza të artikulacioneve genu dhe cubiti bilateral, radio-karpal dhe interkarpal bilateral (gjakderdhje në artikulacionet e gjurit dhe brrylit në të dy anët, në artikulacionet e kuceve të duarve dhe të gishtërinjve në dy anët) e shoqëruar me dëmtim të këtyre artikulacioneve, me semiankilozë dhe ankilozë në fleksion dhe ekstension të tyre. Pacienti ka paraqitur edhe komplikacione të tjera si hematuri makroskopike, hemoragji gastrointestinale, hematoma muskulare dhe subcutane, here pas here epistaksis.

Mungesa e mjekimit adekuat i ka shkaktuar pacientit Besart Nezaj paaftësi të pjesshme të përhershme në masën 30 %.

E drejta për kujdes shëndetësor efikas dhe cilësor është një e drejtë themelore e individit.  Sipas Kartës Shqiptare të të Drejtave të Pacientit, pacientët kanë të drejtë për Masat Parandaluese, të drejtë për Akses, të drejtë për të marrë shërbim shëndetësor Cilësor të Standarteve të Larta, të drejtë për Shërbim të Sigurtë dhe të mbrojtur nga rreziqet, të drejtë për të evituar Vuajtjen dhe Dhimbjen e Panevojshme, si dhe të drejtë për Trajtim në Bazë të Veçorive Individuale.

Vendimi i mësipërm gjyqësor ka konfirmuar diskriminimin e pacientit Besart Nezaj dhe duhet të shërbejë si një shtysë për garantimin e trajtimit të duhur mjekësor dhe respektim të të drejtave të pacientëve me hemofili, nga ana e institucioneve shtetërore shëndetësore përgjegjëse.

 

 

No Comments Yet.

Leave a comment