HAP dhe TFL çelin panairin e ushqyerjes së shëndetshme në Dibër

“Ju bëj thirrje bashkëmoshatarëve të mi, jo vetëm në Bulqizë por kudo në Shqipëri: Lini pas ushqimet e shpejta dhe konsumoni fruta dhe zarzavate, me siguri do të rriteni më të shëndetshëm dhe nuk do të vuani kurrë nga mbipesha”  Agustin Perkoxha, nxënës.

Përgjatë muajit shkurt u zhvilluan 3 panaire në shkollat 9-vjeçare “26 Korriku” Rukaj Bruc-Mat, “Ahmet Cami”  Gjoricë-Bulqizë,  “Idriz Kaba” Tomin-Peshkopi,  ku u reklamuan ushqimet bio që prodhohen në këto zona si dhe vlerat e kulinarisë të trashëguara prej shekujsh. Përveç nxënësve dhe stafit mësimor, në panair u përfshinë dhe prindër apo banorë të zonës të cilët kishin përgatitur një mori ushqimesh bio të cilat i kultivojnë dhe i konsumojnë çdo ditë duke promovuar ushqyerjen e shëndetshme për brezin e ri.

“Fakti që shkolla jonë po përfshihet në një projekt të rëndësishëm dhe ne kemi mundësinë të tregojmë dhe të flasim për produktet tona, është një hap i rëndësishëm në mirëushqyerjen dhe rritjen e një brezi të shëndetshëm dhe të informuar”, kështu u shpreh z. Fatos  Muka, drejtor i shkollës “Ahmet Cami”  Gjoricë -Bulqize, gjatë fjalës të tij përshëndetëse në panairin e zhvilluar në kuadër të  projektit “Shëndet për të gjithë”( HAP), mbështetur nga Agjensia Zviceriane për Bashkëpunim dhe Zhvillim .

Dietologia Blerina Bombaj  shprehu vlerësim për vlerat e trashëguara në kulinari dhe përkushtimin e nxënësve në përgatitjen e ushqimeve bio të zonës. “ Jam e impresionuar nga gatimet e nënave dhe mësueseve, nga larmia dhe produktet tipike. Një paraqitje e shkëlqyer e vlerave. Le t’i kthejmë sytë të gjithë nga toka dhe historia jonë”, u shpreh Bombaj ndërkohë që vizitoi çdo tavolinë duke informuar të pranishmit lidhur me vlerat ushqyese që përmbante çdo produkt i servirur”.

Në panaire, krahas produkteve agro-ushqimore dhe gastronomisë së pasur, u evidentuan edhe vlerat folklorike dhe kulturore të zonës. Nxënësit të udhëhequr nga mësuesit e tyre, kishin përgatitur valle të zonës si dhe vjersha të cilat nëpërmjet sarkazmës vinin në qendër ushqimet e  shëndetshme dhe pse duhet të konsumohen ato sa më shumë nga fëmijët.

“Krahas sesioneve edukuese dhe informuese edhe ky panair i zhvilluar ka qenë gjithëpërfshirës. Është hera e parë që në shkollën tonë realizohet një aktivitet kaq i madh dhe ju bëhet promovim ushqimeve të cilat ne i kultivojmë në fshatin tonë”, kështu u shpreh Ladiola Salkurti, drejtore e shkollës Idriz Kaba, Tomin, duke theksuar faktin se janë përfshirë të gjithë nxënësit apo dhe prindërit e tyre për të vënë sa më shumë në pah vlerat ushqyese me të cilat duhet të rritet brezi i ri.

Aktivitetet i përshëndetën dhe specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik (DSHP) të qyteteve respektive, të cilët u shprehën se përkushtimi i të gjithë aktorëve në promovimin e ushqimit bio ka qenë maksimal.

“Unë dua të falënderoj stafin pedagogjik të shkollës, të cilët janë angazhuar për të vazhduar këtë nismë dhe mendoj se kanë bërë një punë mjaft të mirë dhe cilësore në angazhimin e nxënësve dhe prindërve. Ne sigurisht do të vazhdojmë monitorimin për të parë se si do të shkojë ushqyerja e shëndetshme e këtyre nxënësve dhe si do të ndikojë në të ardhmen gjithë puna e kryer nga stafi i shoqatës “Together for Life”, u shpreh znj. Festa Mjeshtri, punonjëse e DSHP Bulqizë.

Kryefjala e këtyre aktiviteteve ishin vetë nxënësit të cilët nxorën në pah vlerat e ushqimeve të cilat kultivohen në vendin e tyre dhe ata familjarisht kujdesen çdo ditë për prodhimtarinë e tyre. Klevisi, nxënës i klasës VII, në shkollën e Bulqizës, tregoi se ai dhe bashkëmoshatarët e tij janë me fat që kanë mundësinë të ushqehen më produkte të freskëta dhe të kontrolluara edhe pse ndonjëherë nuk i vlerësojnë sa duhet dhe vrapojnë drejt ambalazheve tërheqëse për syrin.

Në panaire morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve të cilët shprehen vlerësim për nismën dhe punën e kryer për të nxjerrë në pah vlerat e vendit të tyre si dhe për të ndryshuar mënyrën e të ushqyerit tek brezi i ri.

 

 

No Comments Yet.

Leave a comment