Hapja e negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Progres por përgjegjësi më e madhe për respektimin e të Drejtave të Njeriut

Lexoni: English

Në datë 17 Prill 2018, Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Njëkohësisht, theksoi se baza e këtij anëtarësimi është mbajtja dhe thellimi i reformave aktuale për zbatimin e 5 prioriteteve kyçe, si: reforma në sistemin e drejtësisë, në administratën publike, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, si dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Shoqata “Together for Life” vlerëson se ky Rekomandim përbën një hap të rëndësishëm progresi për integrimin e Shqipërisë në vendet demokratike perëndimore ku sundon shteti i së Drejtës dhe respektohen të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, në Raportin e vitit 2018, Komisioni Europian thekson se Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për respektimin e të Drejtave të Njeriut.

Institucionet shtetërore shqiptare në nivel qendror apo lokal duhet të bëjnë përpjekje thelbësore për të siguruar konsultim sistematik, transparent dhe efektiv me Shoqërinë Civile pasi aktualisht pjesëmarrja e Shoqërisë Civile në vendimmarrje konsiderohet rastësore.

Ndalimi i diskriminimit të shtetasve, përfshirë të miturit që marrin shërbim shëndetësor, i romëve dhe egjiptianëve, mbrojtja e mjedisit përmes parandalimit dhe riparimit të dëmeve, garantimi efektiv i barazisë gjinore, sigurimi i aksesit në drejtësi për gratë që i nënshtrohen dhunës në familje etj., mbeten disa fusha ku Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.

Për zbatimin e legjislacionit të punës, si dhe shëndetin e sigurinë në punë, Komisioni Europian kërkon që të merren masa efektive për parandalimin e punës së të miturve, të rriten kapacitetet dhe rezultatet e punës së inspektoriateve, si dhe të forcohen hetimet penale lidhur me rastet e dyshuara të mashtrimit apo abuzimit me detyrën.  

Shoqata “Together for Life” iu bën thirrje organeve shtetërore përgjegjëse të shtojnë angazhimin dhe punën e tyre për të korrigjuar dhe përmbushur të gjitha mangësitë e evidentuara në Raportin e Komisionit Europian, me qëllim respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

No Comments Yet.

Leave a comment