Jua them unë kush i dhunon mjekët!

*Nga Eglantina Bardhi

Viktimizimi i Ministrisë së Shëndetësisë ndaj situatës së dhunës ndaj mjekëve është po aq e shëmtuar sa e një të dehuri që qëllon pa mëshirë një mjek në detyrë. Në këtë rast Ministria është ose e dehur, ose e pafytyrë që bën mbrojtësin. Por, dhunuesi i vërtetë ndaj mjekëve është vetë ajo.

Më lejoni t’i kujtoj Ministrisë së Shëndetësisë dhe zyrtarëve të saj se mjekët, madje edhe profesorët, kanë frikë në palcë të dalin në media e të flasin për problemet e tyre. Maje edhe më keq: thjesht të flasin për sistemin shëndetësor. Menjëherë, makineria e propagandës dhe e terrorit të Ministrisë merr në telefon dhe i kërcënon, madje i paralajmëron që të mos hapin gojë. Sus! Kështu thuhet në gjuhën anadolle.

Sot u paska dalë në krah!

Po ndaj kujt e ka Ministria këtë luftë? Ndaj kujt del në protestë? A nuk është kjo Ministri që harton politika shëndetësore dhe rregullon sistemin që mjekët të mos rrihen dhe pacientët të marrin shërbim.

Kush qenka fajtori këtu? Populli? Kazani?

Taksapaguesit që paguajnë siguracione shëndetësore çdo muaj, por në këmbim nuk marrin as edhe një analizë urine falas? Më lini t’jua them unë kush është fajtori.

Nëse ka një fajtor në këtë situatë, është pikërisht Ministria dhe politikat që e kanë degraduar kaq shumë mjekun, i cili fut dorën ne xhepin e pacientit, bën 5 punë për të fituar më shumë dhe, më e shëmtuara, mbush receta për të marrë përqindje nga firmat farmaceutike.

Mjekët janë pjesë e këtij sistemi të shëmtuar që ndërtuat ju, fajtorë jeni ju,  pra qeveritë që tallen me bluzën e bardhë të mjekut, dhe arrijmë në këtë degradim total. Mjekët kanë nevojë për paga më të mira, për kushte pune më të mira, për vlerësim dhe dinjitet. Këto jua keni marrë ju, ndaj mos bëni sikur po i ndihmoni, se vetëm po i përbaltni më shumë kur bëni sikur jeni përkrahë tyre.

Hipokritë!

No Comments Yet.

Leave a comment