Konferenca që ju dedikua tërësisht ekonomisë digjitale

 

 

Transformimi digjital, aftësitë dhe ekonomia digjitale ishin kryefjala e kësaj të shtune në qytetin e Korçës në Konferencën “Korça Digital Weekend” organizuar nga Bashkia Korçë, Vigan Group, ICTSlab, ABSA dhe Universiteti i Korçës “Fan S. Noli.”

Si do të ndryshojë transformimi digjital mënyrën tonë të punuarit; Si të siguroj punësim online; Çfarë është ekonomia digjitale; Pse aftësitë digjitale janë forca e re e ekonomisë globale; Cila është puna e së ardhmes; Biznesi Elektronik dhe aksesi në tregjet globale e shumë tema të tjera ishin disa prej dilemave që shoqërojnë të rinjtë sot dhe që morën përgjigje në këtë fundjavë të inovacionit në Korçë.

 

Nën moton “Korça jo vetëm e bukur, por edhe inovative,” Korça Digital Weekend me pjesëmarrjen e dhjetëra profesionistëve, sipërmarrësve dhe entuziastëve nga komuniteti i teknologjisë në Shqipëri solli disa prej modeleve më frymëzuese për të rinjtë Shqiptarë të cilët themeluan dhe drejtuan kompani shumë të suksesshme me qasje në tregjet globale.

Në këtë konferencë morën pjesë më shume se 200 të ftuar, 30 folës dhe u organizuan dy aktivitete paralele ku u shpalos vizioni i Bashkisë Korçë për shndërrimin e Korçës në një qendër të teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes.

Në fjalën e tij hapëse në Korça Digital Weekend, Kryetari i Bashkisë së Korçës z. Sotiraq Filo tha se kjo konferencë u jep të rinjve të gjitha arsyet e nevojshme për të qëndruar, jetuar dhe punuar në Korçë duke pasur mundësi dhe shanse të barabarta me çdo të ri më Shqipëri dhe më gjerë.

Ai vuri theksin tek Korça si një treg i vogël i cili ofron më pak mundësi rritjeje dhe punësimi ndryshe nga metropolet si Tirana apo Durrësi, por falë teknologjisë mund ta ndryshojmë këtë realitet. Z. Filo u bëri thirrje të rinjve dhe rejave të qëndrojnë në Korçë dhe se falë këtij programi fushat e mundësive do të zgjerohen duke u siguruar akse në tregjet globale.

Një prej synimeve të këtij programi ka qenë edhe ndërtimi i një rrjeti partnerësh me universitete, organizata, kompani e biznese të ndryshme të fushës së teknologjisë. “Bashkia e Korçës do të ndajë një fond të konsiderueshëm për të mbështetur të rinjtë e këtij programi dhe të vërë në dispozicion infrastrukturën publike si biblioteka të cilat do të shndërrohen në hapësira pune,” vijoi ai.

Ish zëvendës Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Niko Peleshi shprehu entuziazmin e tij për organizimin e një konference të tillë në qytetin e Korçës dhe shprehu bindjen e plotë se Korça nuk do të jetë thjeshtë një pasarelë aktivitetesh të tilla por edhe atelie i inovacionit.

Duam që në Korçë të ndërtojmë punishtet e artizanëve të inovacionit” tha ai gjatë fjalës së tij. Ai tha se ky moment është stacionar për Korçën e cila pas 10 vitesh program për rigjenerimin e bazës infrastrukturore, kulturore, artistike, sportive e turistike e ashtuquajtura Korça 1.0, tani është momenti për një rrugëtim të ri, drejt stacionit Korça 2.0.

Nuk e bëjmë dot Korçën një vend më të mirë për të jetuar dhe punuar me thirrje patriotike por duke sjellë botën në Korçë dhe Shqipëri,” tha z. Peleshi.

Fjalën përshëndetëse e z. Filo dhe z. Peleshi e permbylli një lidhje direkte nga San Francisco me një histori Korçare suksesi në Silicon Valley dhe që sot punon për rrjetin social Facebook Heraldo Memelli. Ai tha se ka me dhjetëra mundësi sesi të përvetësoni aftësi teknike thjeshtë përmes internetit dhe të punoni nga komforti i shtëpisë, diçka që në vitin 2004 kur ai i hyri programimit nuk e kishte.

Në pjesën e parë të ditës Kushtrimi Shala, Dritan Mezini, Albi Zhulali dhe Agi Haxhimurati ndanë me pjesëmarrësit eksperiencat e tyre, këshilla dhe një panoramë e asaj çfarë e pret botën në dekadën e ardhshme, një dekadë transformimi digjital dhe inovacionit.

Bashkëthemeluesi i Albanian ICT Awards, Kushtrimi Shala ndau disa refleksione rreth Forumit Ekonomik Botëror që u mbajt në Davos e cili temë kryesore kishte teknologjinë. “Deri më 2030, 1 miliardë e punëve në mbarë botën, ose 1/3 e punëve, do të transformohen me teknologjinë,” tha Ai.

Dritan Mezini, bashkëthemelues i DuaPunë.com, hodhi dritë mbi dilemat se a jemi gati ne për sfidat e të nesërmes.

Albi Zhulali, themelues i platformës Softmogul foli për eksperiencën e tij të themelimit të një biznesi nga një biznes për krijimin e uebsajteve tek turizmi dhe themelimi i Softmogul.

Ekspert në dizajn, brandim dhe komunikim, Agi Haxhimurati thotë se ne nuk presim frymëzim që të bëjmë diçka, ne e bëjmë dhe frymëzojmë të tjerët.

Pjesa e dytë e `Digital Skills` nisi me një panel te përbërë nga Veton Kurtsmajlaj, Dritan Pecini, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Eljona Kosta dhe Fiordi Pernaska me tematikën Si do të harmonizohen kapacitetet e Shqipërisë Digjitale me ekonominë globale?

Në prezantimin e radhës, Driton Musolli, bashkëthemelues i Transmogul ligjëroi nga eksperienca e tij sesi të përfitojmë maksimalisht nga rrjeti i kontakteve dhe tha çdo arritje që e kemi si kompani dhe ekip në të ka kontribut edhe kontaktet e takimet e shkëmbimet e eksperiencave që kemi pasur me njerëz të tjerë.

Anisa Berisha nga programi UK Albania TechHubProgramme dhe Fiordi Pernaska, CEO i VIP TIE ndanë eksperiencat e tyre me studimet, kërkimin për punë, menaxhimin e themelimin e një kompanie nga Shqipëria.

Në Korça Digital Weekend, startupi PleXusvr pjesë e edicionit të parë të Uplift Albania demonstroi për pjesëmarrësit lojën e realitetit virtual. Renato Toni vuri theksin tek potenciali që ka realiteti virtual dhe zbuloi se nga Uplift Albania mori një investim prej 50,000 dollarë.

Në kuadër të themelimit të platformës Global Digital City nga Vigan Group, Arjodita Mustali prezantoi një workshop për të gjithë të rinjtë që kanë një ide duke i ftuar ata ti prezantojnë. Gjatë këtij aktiviteti, të rinjtë prezantuan, zhvilluan dhe përpunuan me mentorët në formatin e një boot-camp. 10 idetë më të mira prezantuan për 60 sekonda në skenën e Korça Digital Weekend.

Laidi Ferruni u bëri thirrje të rinjve që të shesin produkte online në çfarëdo platforme që nga Facebook apo Instagrami. Ai vuri theksin tek reduktimi i kostove dhe sa e lehtë është të nisësh sot një dyqan online krahasuar me 10 vite më parë kur ai e nisi diçka të tillë.

Si të ndërtojmë një të ardhme ku mund të përballojmë çdo sfidë ishte pyetja e Arjodita Mustalit për audiencën. Ajo tha se fatkeqësia e një vendi nuk janë njerëzit e këqinj por njerëzit e mirë që nuk flasin duke inkurajuar të rinjte të shprehin idenë e tyre dhe ta komunikojnë atë.

Ekonomist apo inxhinier, Dr. Ilir Çapuni thotë se gjithnjë ka zgjedhur të dytën. Një teknologji që na mungon sot dhe na e bën jetën më të mirë nesër ajo është teknologjia e të ardhmes tha ai.

Nga Korça duhet tu themi të gjithë të rinjve, që ëndërrojnë se mund ta bëjmë këtë gjë edhe pa ikur nga Shqipëria, tha Arbër Çepani.

Florensa Haxhi, Ersenilda Elezi, Edmond Alla, Gerti Boshnjaku dhe Rafail Prodani diskutuan mbi nismat qe qeveria Shqiptare po ndërmerr ne fushën e inovacionit dhe teknologjisë, rëndësinë e njohjes se sektorit dhe financimit te tij në një panel për 30 minuta.

Mërgimi Cahani, themelues i motorit të kërkimit në gjuhën Shqipe Gjirafa.com tha se ajo që na shtyn ne të zgjohemi herët në mëngjes është ndërtimi i ekonomisë digjitale në Shqipëri. CEO i SmartWork Gjergji Robo dhe CEO i Baboon Genti Selenica prezantuan kompanitë e tyre dhe sfidat që u përballën në themelimin e tyre ndërsa Alqi Puli shpjegoi ekosistemin e startupeve dhe funksionin e tij në një qytet inteligjent “Smart City”.

Në momentin final të Konferencës Korça Digital Weekend, erdhi prezantimi i 10 ideve të cilat u perpunuan gjatë aktivitetit. Disa prej ideve të prezantuara ishin krijimi i turneve të lojërave, krijimi i një poli urban për teknologjitë kreative, një platformë për zgjidhjen e problemeve, vendosja e hartave në qytet për turistët, hapja e një dyqani online me produkte të dizajnuara in-house.

Në fund të aktivitetit u ofruan 19 vende pune nga Baboon, Smartwork dhe DuaPunë ndërsa partnerë të tjerë si New Media Communication, Vigan group ofruan trajnime ne marketing , finance dhe ligjor , Laidi Ferruni ofroi konsulencen e tij per ndertimin e nje webi e-commerce. ICTSlab ofroi trajnim në vlerën 400 euro për dy fituesit duke u mësuar programim në disa platforma.

Korça Digital Weekend është pjesë e platformës Global Digital City e cila do te ofrojë një mundësi sipërmarrësve të rinj të mësojnë dhe zgjerojnë njohuritë e tyre që të punojnë në mënyrë të pavarur, të nisin një biznes dhe ti përshtaten kërkesave dhe nevojave të tregut.

Konferenca iu dedikua çdo të riu me ambicie, sipërmarrësi të ri, profesionisti që kërkoj të zgjerojë më tej aftësitë e rij dhe çdo organizate e cila dëshiron të bëhet pjesë e programit të Bashkisë Korçë për të ndërtuar një ekosistem të favorshëm për nxitjen e biznesit, inovacionit dhe kreativitetit.

 

**********************************************************

Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, digjitalizimi u vlerësua si një nga 4 sektorët potencial të vendit dhe prioritar për investime, për 2019-n, krahas agropërpunimit, turizmit dhe burimeve natyrore. Zgjedhja e dixhitalizimit si sektor prioritar ndodh për herë të parë. Ndaj edhe konferenca të tilla që bashkojnë të gjitha aktorët, apo aktivitete të ngjashme, si përshembull projektet që synojnë promovimin e këtij sektori janë një vlerë e madhe dhe premtuese për zhvillimin e tij në të ardhmen. 

Kujtojmë se  Albanian Business Services Association (ABSA) në partneritet me Shoqata Together for Life kanë filluar zbatimin e projektit “Mbështetje sektorit BPO” përmes kuadrit ligjor, avokimit dhe lobimit me qëllim rritjen ekonomike dhe punësimin”, i cili mbështetet nga RISIAlbania një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

No Comments Yet.

Leave a comment