Konstatohet diskriminim i Pacientit me Hemofili për shkak të aftësisë së kufizuar

Lexoni: English

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstaton diskriminim të pacientit me Hemofili dhe urdhëron marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e ilaçit Faktor IX në sasinë e rekomanduar

Shoqata “Together for Life” ka paraqitur një Ankesë për diskriminimin e shtetasit B. N. ndaj të cilit nuk sigurohet mjekimi i përshtatshëm mjekësor për shkak të mungesës së medikamentit Faktor IX. Kjo ka shkatuar përkeqësim të sëmundjes dhe invaliditetin e pacientit i cili ka statusin e personit me “aftësi të kufizuar”. Në rang vendi rezultojnë rreth 480 pacientë me Hemofili.

Në shqyrtim të kësaj Ankese, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kërkuar informacion dhe dokumente nga autoritetet përgjegjëse shtetërore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë (QSUT).

Pas shterimit të procesit të verifikimit administrativ, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka arritur në këto konkluzione:

  1. MShMS nuk ka miratuar protokollin klinik për trajtimin e sëmundjes së Hemofilisë dhe kjo ka shkaktuar mungesën e profilaksisë në mjekimin e tyre;
  2. Pacientit B. N., nuk i është siguruar medikamenti në sasinë e rekomanduar nga mjeku Hematolog;
  3. QSUT dhe MShMS nuk mund të justifikohen se, mangësitë në medikamente vijnë për shkak të buxhetit të kufizuar;
  4. Testi Betehsda/Nijmegen për matjen sasiore të titrit të Inhibitorit për pacientët me Hemofili nuk mund të zhvillohet në QSUT për shkak të nevojës për trajnim të veçantë të personelit dhe kostos së lartë;
  5. MShMS dhe QSUT nuk kanë dërguar Komisionerit informacionin lidhur me mënyrën se si është përllogaritur në buxhet, fondi për medikamente për të sëmurët me Hemofili, statistikat si dhe kartelën mjekësore të Pacientit për të vlerësuar rregullsinë e marrjes së faktorit.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka arritur në përfundimin se, ndaj shtetasit nuk është ofruar shërbimi i duhur, në sasinë e kërkuar të medikamentit nga institucionet përgjegjëse duke e ekspozuar atë ndaj një trajtimi të padrejtë e disfavorizues.

Për rrjedhojë, me Vendimin nr. 17, dt. 05.02.2019, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminimin e Pacientit B. N., për shkak të “aftësisë së kufizuar” nga ana e MShMS dhe QSUT, si dhe ka urdhëruar marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e medikamentit Faktor IX, në sasinë e rekomanduar nga mjeku Hematolog.

Shoqata “Together for Life” gjen rastit të sugjerojë MShMS dhe QSUT të  marrin masa për zbatimin pa vonesë të Vendimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe për trajtimin e këtyre pacientëve në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore.

Ndjekja e kësaj çështje është mbështetuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë  - OSFA.

No Comments Yet.

Leave a comment