Kontratat e punës: Mosinformimi favorizon shkeljen e ligjit

Lexoni: English

Ilma Lamçe

Njohja dhe kuptimi paraprak i përmbajtjes së kontratës së punës është shumë e rëndësishme, pasi me anë të kësaj kontrate punëmarrësi merr përsipër të ofrojë punën ose shërbimin e vet për një periudhë të caktuar ose të pacaktuar kohe, në kuadër të organizimit dhe të urdhrave të një personi tjetër, të quajtur punëdhënës, i cili merr përsipër të paguajë një shpërblim për punën që do të kryhet, shprehet Andi Muratej ekspert ligjor. Muratej thekson se kontrata e punës është një marrëveshje e dyanshme dhe e vullnetshme ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit, që rregullon marrëdhëniet e punës dhe përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve. Për rrjedhojë, ajo mbron të dy palët, qoftë punëmarrësin dhe punëdhënësin, të cilët bien dakord për kryerjen e një pune apo shërbimi kundrejt një shpërblimi, punë e cila kryhet në disa kushte të caktuara. 

Në çdo rast, kontrata e punës nuk mund të përcaktojë kushte pune më pak të favorshme për punëmarrësin sesa ato të parashikuara në Kodin e Punës.  Çdo dispozitë që shkel një dispozitë të një shkalle më të lartë, është e pavlefshme. Punëmarrësi nuk mund të heqë dorë nga të drejtat që rrjedhin nga dispozitat urdhëruese të këtij Kodi ose të kontratave kolektive të punës.

Por, sa e njohin punëmarrësit rëndësinë e kontratës? A e lexojnë atë? A e kuptojnë?

Shoqata Together for life, në kuadër të projektit “Mobilizimi social për të drejtat në punë”, ka realizuar një sërë takimesh me punonjës të sektorit Call Center. Një nga problematikat e evidentuara gjatë takimeve është largimi nga puna, që sipas punëmarrësve në shumë raste ka qenë i padrejtë. Por, kur i pyet për kushtet e kontratës, ngrenë supet, me pretendimet se nuk e kanë lexuar.

“Kontratë kemi pasur, pas tre mujorshit të provës kam firmosur kontratë pune. Nuk e kam lexuar sepse kam pasur nevojë për punë. Për mua ka qenë një praktikë normale dhe e panevojshme për t’u thelluar. Kontratën e kam dhe në shtëpi, një kopje”, shprehet F.M.

“Kur kam filluar punë në Call Center, më kanë dhënë për të firmosur kontratën 1 javë pasi kam filluar trajnimin dhe nuk më është dhënë kohë për ta lexuar. Kontrata ka qenë mbi 10 faqe dhe ishte shumë e vështirë ta lexoje brenda disa minutave. Kam kërkuar të shikoja sa ishte pagesa, dhe pasi e kam parë, kam firmosur. 1 kopje të kontratës e kam edhe sot në shtëpi, por nuk e kam lexuar ende“, M.S.

Cenimi i të drejtave për informim të punëmarrësit, që lind nga mungesa e kohës në dispozicion për ta lexuar kontratën, nga njëra anë, dhe mungesa e ndërgjegjësimit të punonjësit për leximin e kontratës edhe më vonë, në anën tjetër, sjell keqkuptimet në funksionimin e marrëdhënies punëdhënës-punëmarrës.

Sipas ligjit, punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë kohë të mjaftueshme për të lexuar çdo pikë të kontratës, ka të drejtë legjitime të dijë përmbajtjen e asaj që po firmos dhe të zotërojë një kopje të kontratës. Në këtë mënyrë punëmarrësi do të jetë i mbrojtur me anë të kësaj kontrate në çdo kohë që atij i shkelen të drejtat.

Punëmarrësit ndërgjegjësohen për të drejtat e tyre vetëm në momentet kur atyre u cenohen të drejtat individuale. Në ato momente ata kërkojnë të rishikojnë dhe të lexojnë kontratën që kanë firmosur kur kanë nisur marrëdhëniet e punës, por atëherë është vonë.

Përpos kësaj, ka edhe raste të tjera ku punonjësit nuk kanë pasur kontratë. Bëhet fjalë për kompanitë “fantazmë”, të cilat kanë zhvilluar aktivitetin në vendin tonë në shkelje të të gjitha ligjeve në fuqi.

“Më është dhënë një fletë për të firmosur ku shkruhej paga dhe orari i punës, dhe çdo gjë ishte në rregull për punëdhënësin. Paga merrej e gjitha në dorë dhe siguracionet nuk më janë paguar, edhe pse nga punëdhënësi më është thënë se janë paguar“,  L.P.

Për punonjësit kjo ka qenë diçka e parëndësishme, sepse pagat që ata merrnin ishin të kënaqshme dhe pagesa bëhej në dorë. Këto kompani kanë operuar pa lidhur një kontratë pune dhe pa i deklaruar pagat e punonjësve, pra 'punë në të zezë'.

Ka edhe nga ata punonjës të cilët e dinë rëndësinë e leximit të kontratës, për t’u njohur me kushtet e punës, dhe kanë kërkuar të lexojnë çdo faqe para se të vendosin firmën e tyre. Por, çfarë ka ndodhur me ta në rastet kur kanë kundërshtuar një nga kushtet e punës, e cila u është komunikuar ndryshe dhe në fletë ka qenë ndryshe? Asgjë! Ose duhet të binin dakord me ato kushte, ose mund të largoheshin. Pra, është në zgjedhjen e gjithsecilit nëse i pranon ose jo kushtet që i vendos punëdhënësi, por e rëndësishme është të dini të drejtat dhe detyrimet tuaja.

Por, çfarë duhet të përmbajë një kontratë pune dhe sa e rëndësishme është koha për ta lexuar e kuptuar para se të firmoset. 

Çfarë është kontrata e punës

Çdo individ i punësuar (të cilin ligji e quan punëmarrës) duhet të lidhë një kontratë pune me punëdhënësin. Kontrata e punës është një marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit, që përmban të drejtat dhe detyrimet e palëve. Si rregull, kontrata e punës lidhet me punëmarrës të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç. Si rregull, ndalohet marrja në punë e fëmijëve nën 16 vjeç.

Me anë të kontratës së punës, punëmarrësi merr përsipër të ofrojë punën ose shërbimin e vet, sipas detyrave dhe rregullave që i caktohen nga punëdhënësi, kundrejt shpërblimit. Punëmarrësi duhet ta kryejë personalisht punën që i është ngarkuar, me përjashtim të rastit kur me marrëveshje ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit është përcaktuar ndryshe.

Punëmarrësi nuk është i detyruar të zbatojë urdhrat dhe udhëzimet e punëdhënësit që ndryshojnë kushtet e kontratës së punës pa miratimin e tij, apo që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tij.

Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Punëdhënësi është i detyruar ta lidhë atë brenda 7 ditëve nga dita e punësimit. Ajo hartohet për kryerjen e një pune për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar vetëm kundrejt pagesës.

Kontrata e punës duhet të përmbajë domosdoshmërish elementët:

  • Identitetin e palëve.
  • Vendin dhe përshkrimin e punës
  • Datën e fillimit të punës.
  • Kohëzgjatjen (me afat /afat i pacaktuar).
  • Kohën normale ditore dhe javore të punës.
  • Kohëzgjatja normale ditore e punës është 8 orë në ditë dhe javore 40 orë në javë. Çdo orë e punuar mbi kohën normale të punës konsiderohet orë shtesë.
  • Me kohëzgjatje të punës kuptohet koha gjatë së cilës punëmarrësi është në dispozicion të punëdhënësit, përfshirë edhe kohën gjatë së cilës kryen formimin ose riformimin profesional, të lejuar nga punëdhënësi.
  • Në kohën e punës nuk përfshihet koha e pushimit, gjatë së cilës punëmarrësi nuk është në dispozicion të punëdhënësit.
  • Elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj.
  • Me pagë kuptohet paga bazë, si dhe shtesat me karakter të përhershëm. Aktualisht me VKM paga minimale është përcaktuar, 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë. Paga paguhet vetëm përmes sistemit bankar. Punëdhënësi i jep punëmarrësit për çdo pagë përllogaritjen ku përfshihet shuma e pagës, bazat e përllogaritjes, nëse kjo është e ndryshueshme, si dhe të gjitha zbritjet prej saj, në datën e përcaktuar në kontratën e lidhur mes palëve.

Shtesat në pagë për punë të kryer në:
Puna me turne :

  • Turni II-të (nga ora 19.00 – 22.00 shtesa jo më pak se 20%)
  • Tuni III-të (nga ora 22.00- 06.00 shtesa jo më pak se 50 %)

Pushimi javor përfshin ditën e diel. Puna e kryer në ditët e pushimit javor kompensohet jo më pak se 25 %, ose me pushim, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer + pushim shtesë, jo më pak se 25 % të kohëzgjatjes së kësaj pune.

Puna e kryer në ditët e festave zyrtare kompensohet jo më pak se 25 % dhe me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer në ditët e festave zyrtare.
Puna e kryer në orë shtesë paguhet jo më pak se 25 %, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. Orët shtesë të punës, të kryera gjatë pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare, kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 % më të madhe se paga normale, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. Ky kompensim përfshin edhe kompensimet e përfshira në paragrafët paraardhës.

  • Kohëzgjatjen e pushimeve vjetore
    PUSHIMET VJETORE janë jo më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim.
    Pushimet vjetore nuk përfshijnë ditët e festave zyrtare. Nëse festa zyrtare bie ditën e pushimit vjetor me pagesë, pushimi vjetor shtyhet.
    Në rastet e punëmarrësit i cili nuk ka kryer një vit pune të plotë, kohëzgjatja e pushimeve llogaritet përpjesëtimisht me kohëzgjatjen e punës së kryer.
  • Përfundimi i marrëdhënieve të punës dhe njoftimi
    Gjatë kohës së marrjes në provë, secila nga palët mund të zgjidhë kontratën duke njoftuar të paktën 5 ditë përpara.

Një kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit. Palët duhet të respektojnë një afat njoftimi:

  • prej dy javësh, kur marrëdhënia e punësimit ka zgjatur deri në gjashtë muaj,
  • prej një muaji, për kohëzgjatjen mbi gjashtë muaj deri në dy vjet,
  • prej dy muajsh, për kohëzgjatjen mbi dy vjet deri në pesë vjet,
  • prej tre muajsh, për kohëzgjatjen për më shumë se pesë vjet.

Një kontratë pune me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.

Punëdhënësi duhet të njoftojë me shkrim punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedojë me të duke i parashtruar arsyet e vendimit. Zgjidhja njoftohet me shkrim, me arsyet e zgjidhjes brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit.

  • Llojet dhe procedurat e masave disiplinore.
    Kujdes! Ndalohet dhënia e gjobave nga punëdhënësi, me përjashtim të gjobave të përcaktuara në Kontratën Kolektive.
  • Referenca të kontratës kolektive (nëse funksionon organizim sindikal dhe ekziston një marrëveshje kolektive).

Çfarë ndodh nëse një punonjës nis marrëdhënie pune pa firmosur një kontratë?

Nëse një punëmarrës nis marrëdhënie pune pa firmosur një kontratë pune, atëherë ai nuk mund të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të mësipërme, përmes rrugëve ligjore, në rast të shkeljes së tyre nga punëdhënësi.  

Llojet e kontratave

Kontrata e punës mund të jetë me afat të caktuar ose me afat të pacaktuar. Kontrata me afat të caktuar nënkupton lidhjen e kontratës për një periudhë fikse të parashikuar shprehimisht në këtë kontratë. Ndërsa kontrata me afat të pacaktuar supozon vazhdimësinë e përhershme të marrëdhënies së punës, pa përmendur ndonjë afat për përfundimin e saj. Si rregull, kontratat e punës duhet të lidhen me afat të pacaktuar. Kontratat e punës me afat të caktuar mund të lidhet vetëm kur mund të justifikohet me natyrën e përkohshme të punës që do të kryejë punëmarrësi.

Kontrata individuale dhe kontrata kolektive.

Kontrata kolektive përmban dispozita mbi kushtet e punësimit, lidhjen, përmbajtjen dhe përfundimin e kontratave individuale të punës, formimin profesional, si dhe mbi marrëdhëniet midis palëve kontraktuese.

  1. Kontrata kolektive mund të përmbajë dispozita që vendosin punëdhënësit dhe punëmarrësit në raporte të detyrueshme të krijuara nga palët me marrëveshje kolektive, ndaj personave juridikë.
  2. Kontrata kolektive nuk mund të përmbajë dispozita më pak të favorshme për punëmarrësit se ato të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi, me përjashtim të rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj.

Dispozitat e kontratës kolektive që lidhen me kushtet e punës, rregullojnë drejtpërdrejt kontratat individuale të punës të lidhura nga çdo punëdhënës që ka përfunduar këtë kontratë.

Çdo dispozitë e kontratës individuale të punës, që është më pak e favorshme për punëmarrësin se dispozita e kontratës kolektive, është e pavlefshme dhe zëvendësohet nga kjo dispozitë.

 

No Comments Yet.

Leave a comment