KPT konstaton shkelje të të drejtave të pacientëve të papërgjegjshëm penalisht

Komiteti Europian i Parandalimit të Torturës konstaton shkelje të rënda të të drejtave të pacientëve të papërgjegjshëm penalisht

Më datë 24 maj 2018, Komiteti Europian i Parandalimit të Torturës dhe Trajtimit apo Dënimit Johuman dhe Degradues (KPT) publikoi Raportin pas vizitës së zhvilluar në Shqipëri më dt. 2-9 shkurt 2017, si dhe pas dërgimit të përgjigjeve nga autoritetet shqiptare. Qëllimi i kësaj vizite ishte verifikimi i masave të marra për zbatimin e rekomandimeve të KPT në Raportin e v. 2014, me fokus të veçantë trajtimin e personave të ndaluar/arrestuar dhe të personave të papërgjegjshëm penalisht (me masë mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor” apo “Shtrim i përkohshëm në spital psikiatrik”).

Në këtë Raport, KPT shpreh shqetësimin e saj serioz se, pavarësisht rekomandimeve specifike të përsëritura të bëra që nga vizita e v. 2000, pacientët që duhet të trajtohen në spitale psikiatrike vazhdojnë të mbahen edhe sot në Institucionin e Veçantë për të Sëmurët në Krujë dhe në Spitalin e Burgjeve, në kushte të cilat në vështrimin e KPT-së mund të konsiderohen lehtësisht si “johumane” dhe “degraduese”.

KPT konstatoi se kushtet e jetesës në të dy institucionet janë përkeqësuar që nga vizita e v. 2014 (në mënyrë të veçantë sa i takon mirëmbajtjes dhe mbipopullimit, me disa pacientë të detyruar për të fjetur në dyshekë mbi dysheme), ka pothuajse mungesë totale të ngrohjes dhe të aksesit tek uji i nxehtë, të higjienës, të ndriçimit të duhur artificial etj. Gjithashtu, niveli i kujdesit psikiatrik është qartësisht i pamjaftueshëm. Respektivisht, 130 pacientë me masë mjekësore dhe 33 të burgosur me çrregullime psikike në Institucionin e Veçantë për të Sëmurët në Krujë trajtohen nga një mjek psikiatër mesatarisht 1 herë/vit, ndërsa 84 pacientë me masë mjekësore dhe 6 të burgosur me çrregullime mendore në Spitalin e Burgjeve trajtohen nga një mjek psikiatër. Në të dy këto institucione trajtimi psikiatrik vazhdon të bazohet thuajse ekskluzivisht në farmakoterapinë, si dhe ka mungesë totale të aktiviteteve terapeutike si psikoterapi ose terapi okupacionale. KPT krijoi përshtypjen e “braktisjes terapeutike” të shumë pacientëve të papërgjegjshëm penalisht.

Në kushtet e mësipërme, KPT i kërkon autoriteteve shqiptare të përgatisin pa vonesë një plan të detajuar për ngritjen e një spitali psikiatrik, si dhe të marrin masat e nevojshme për të nxitur ngritjen e tij të shpejtë.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon thellimin e reformave aktuale për zbatimin e 5 prioriteteve kyçe të integrimit, një ndër të cilat është respektimi i të drejtave të njeriut.

Shoqata "Together for Life" thekson faktin që autoritetet shtetërore kanë përgjegjësi për garantimin e barabartë të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, veçanërisht të atyre shtetasve që trajtohen në institucionet e mbyllura si spitale psikiatrike, burgje etj. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse shtetërore si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Drejtësisë të marrin masat e nevojshme për ngritjen e spitalit psikiatrik, ku do të trajtohen me dinjitet dhe pa diskriminim personat e papërgjegjshëm penalisht.   

No Comments Yet.

Leave a comment