Në shëndetësinë shumëmilionëshe, qytetarët vdesin për një serum

Blertina Koka

Sistemet shëndetësore të përparuara kanë në qendër të tyre pacientin. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme për ta vendosur pacientin në qendër të sistemit shëndetësor, fakt është se ekzistojnë probleme të ndryshme të cilat duhet të zgjidhen.

Një takim me qytetarë të Dibrës ka treguar se pacientët shqiptarë në jo pak raste janë të pakënaqur nga niveli dhe cilësia e shërbimeve që u ofron sistemi ynë shëndetësor.

Premtimi për të përmirësuar dhe zgjeruar shërbimet shëndetësore në mënyrë që qytetarët t’i kenë këto shërbime aty ku jetojnë, duket se nuk po mbahet, ose e thënë ndryshe, duket si një premtim që me siguri do gjejë zbatim pas shumë vitesh.

Sot për sot, shërbimi shëndetësor, veçanërisht në rrethe, ka mangësi të dukshme që bëjnë tepër të vështirë marrjen e një shërbimi shëndetësor cilësor, efikas dhe në kohë.

Spitali Rajonal i Dibrës këtë vit ka qenë në qendër të investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Është vendosur për herë të parë mamografia, grafia e re sapo është instaluar dhe një sërë pajisjesh të tjera si eko, inkubatorë etj. Me vlerë rreth 280 mijë euro që po instalohen në spitalin rajonal të Dibrës. Kjo sipas Ministrisë përmirëson ndjeshëm diagnostikimin e sëmundjeve, duke bërë që shumë shërbime që pacientët detyroheshin t’i merrnin në Tiranë, sot mund t’i marrin afër vendbanimit të tyre.

Po mjekët specialist? Tre mjekë të specializuar kanë pranuar të vijnë të punojnë në spitalin e Dibrës përkundrejt pagesës së bonusit që ofrohet nga qeveria. Një mjeke e re nefrologe i është bashkuar stafit të mjekëve të specializuar të këtij spitali, duke ofruar një shërbim që deri para pak javësh nuk ofrohej në këtë spital për të sëmurët me veshka.

Përpos kësaj situate premtuese, qytetarët nuk ndjejnë asnjë përmirësim, përkundrazi, ata e shohin veten si “viktima” të një sistemi shëndetësor që të lë të vdesësh edhe për një serum.

Jo takim elektoral, as premtues, por në një organizim joformal me pacientët e Dibrës gazetarët e “Shëndet plus” kanë mundur të sjellin problematikat e vërteta të shëndetësisë përmes optikës së tyre (pra, pacientëve), përtej asaj që thuhet e fotografohet.

Historitë për sistemin e shëndetësisë janë nga më të ndryshme, nga raste tragjike të humbjes së jetës së fëmijës për një helmim deri në raste me brutale, ku mjekët nuk pranojnë ta operojnë fëmijën me probleme me apendicitin pa marrë fillimisht lekët.

Mungesa e mjekëve specialistë dhe e pajisjeve diagnostikuese, mungesa e ilaçeve, fenomeni i korrupsionit për të siguruar shërbim shëndetësor në institucionet shtetërore shëndetësore, janë disa nga problematikat që qytetarët shprehin kur flitet për marrëdhënien e tyre me spitalet.

Nuk ka mjekë specialist, nga rrethet vijnë mjekë të dalë në pension

Ndonëse është promovuar gjerësisht programi i ri i qeverisë “Bonus për mjekët specialistë jashtë rretheve”, ku pati edhe një rast që “mjeku la Gjermaninë për Spitalin e Peshkopisë”, përsëri në këtë qytet vazhdon të jetë një problem madhor mungesa e mjekëve specialistë.

“Nuk ka mjekë specialistë. Edhe ata mjekë që i sjellin nga qytetet e tjera kanë dalë në pension. Kanë sjellë një mjek obstetër-gjinekolog së fundmi, është 71 vjeç. 1 mjek obstetër-gjinekolog duhet të presë të gjitha lindjet, punon me tri turne. Ka vetëm 2 kirurg që mbulojnë të gjitha urgjencat dhe operacionet", tregojnë qytetarët.

Korrupsion? Pa lekë nuk të prek kush me dorë

“Pa lekë nuk të prek kush me dorë. Ne jemi të detyruar t’u japim se na dhimbset fëmija. Nipi im kishte probleme me apendicitin. Vëllai e kishte dërguar tek Urgjenca në Maqellarë dhe aty i kishin thënë mjekët që duhet ta nisësh në Spitalin e Peshkopisë sepse nuk kanë pajisje. Vëllai kishte qenë vetëm me 20 mijë lekë në xhep. Fëmija ndërkohë duhej t’i nënshtrohej menjëherë operacionit, por mjekët nuk pranonin ta operonin pa u dhënë lekët. Duhej të mblidhnin lekët nga i gjithë fisi që fëmija të operohej. Pasi mblodhëm lekët dhe ua dhamë mjekëve, e operuan fëmijën në gjendje të rëndë.

I kemi mësuar edhe vetë duke u dhënë lekë mjekëve, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Para jetës së fëmijëve nuk mund të vendosim asgjë tjetër”, rrëfen një pensioniste.

Cilësia e ilaçeve?! Vetëm sa përkeqësojnë gjendjen

Cilësia e ilaçeve, pazaret që mjekët bëjnë me farmacistët duke i drejtuar pacientët tek ata me të cilët kanë lidhur kontratën dhe marrin përqindjen, ishte një tjetër problem shqetësues që qytetarët dibranë ngritën.

“Kam vëllanë 20 vjeç që vuan nga epilepsia. Mjekohet me ilaçe, por duket se vetëm sa ia përkeqësojnë gjendjen. Tani ka filluar që çdo ditë ta kapë sëmundja”, rrëfen një i ri.

Mungesa e informacionit mbi të drejtat e tyre si pacientë apo ku t’i kërkojnë ato, bëjnë që shumë qytetarë të dorëzohen dhe të pranojnë edhe fatkeqësi të tilla si humbja e jetës së fëmijës.

Në këtë takim me qytetarë të Dibrës qëllimi ishte që ata të informoheshin mbi të drejtat e tyre si pacientë dhe të dinë ku të drejtohen në rast të shkeljes së tyre.

Fëmija humbi jetën nga neglizhenca

Një tjetër qytetare sjell rastin tragjik të një fëmije vetëm 12-vjeç, i cili humbi jetën si pasojë e neglizhencës së bluzave të bardha.

“Nuk i zgjojmë dot prej gjumi. Po shkove në urgjencë natën, të thotë infermierja nuk mund ta thërrasë mjekun roje se po fle gjumë. Infermierja të bën një serum dhe të nis në shtëpi.

Një fëmijë 12 vjeç humbi jetën para disa muajsh për shkak të neglizhencës së ekipit mjekësor. Fëmija ishte helmuar pasi kishte konsumuar një lëng frutash të skaduar. Stafi vetëm i kanë bërë një serum dhe e kanë dërguar në shtëpi. Në mesnatë djali ndërroi jetë.

“Neglizhenca e ekipit mjekësor tani është bërë refren. Por, edhe mungesa e pajisjeve, aparaturave, mjeteve të transportit, sidomos për neonantët, që transportohen nga zonat rurale në spitalet rajonale dhe universitare”, janë shumë shqetësuese dhe disa nga arsyet kryesore përse mjekët po largohen nga Dibra”, tregon një punonjëse e Shëndetit Publik.

Eksperti ligjor pranë shoqatës “Together for Life”, Andi Muratej, shpjegoi kuadrin kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, si dhe përmendi institucionet/mekanizmat që mbrojnë të drejtën për shëndet dhe procedurat që duhet të ndjekin. Ai ftoi  pjesëmarrësit që të paraqesin raste konkrete të pacientëve që nuk kanë marrë shërbim shëndetësor.

Pas Sesionit të informimit u vendosën kontakte me pacientë të cilët shprehën dëshirën që të kërkojnë mbrojtjen e të drejtës së tyre për kujdes shëndetësor në rrugë ligjore.

**Ky suplement u prodhua nga “Together for Life” në kuadër të projektit “Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë”, si pjesë e skemës së granteve të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Save the Children në partneritet me Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e vetme e “Together for Life” dhe jodomosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Save the Children dhe Qendrës së Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara

No Comments Yet.

Leave a comment