“Parkinson2Beat”, nisma 10,000 km për të informuar dhe mbledhur fonde për parkinsonin

Bisedoi: Denisa Canameti

“Jini të fortë, jini vetvetja dhe mos e fshihni veten tuaj. Jini krenar dhe jetoni si njerëz normal, duke mos ndjerë turp”. Ky është mesazhi që Ruud Overes përcolli për të gjithë pacientët me parkinson që jetojnë në Shqipëri.

Ruud Overes është një çiklist holandez, 57 vjeç, i diagnostikuar para një viti me Parkinson.  Ai filloi një turne sponsorizues nëpër Evropë, me qëllim ngritjen e vetëdijes për Parkinsonin dhe rritjen e fondeve për hulumtime bazë në këtë sëmundje. Ruud ka kaluar tashmë nëpër Belgjikë, Francë, Spanjë, Portugali, Itali, Slloveni, Kroacinë, Malin e Zi dhe tani po kalon drejt për të përfunduar në Athinë, Greqi. Të gjitha këto shtete, do të vizitoheshin nga Ruud, për 80 ditë. Megjithatë, e gjitha rezultoi më e vështirë, për shkak të relievit jo të favorshëm dhe motit tmerrësisht të nxehtë. Kështu që, ata kanë kërkuar edhe 15 ditë shtesë, për të arritur në Athinë, si destinacioni i fundit i këtij turneu. Pasi të kalojë disa ditë në Athinë, Ruud do të kthehet sërish në Holandë.

Udhëtimi arrin në 10,000 km dhe është një ndërmarrje e ekipit holandez "Parkinson2Beat", i cili ka vendosur si objektiv për të tërhequr vëmendjen ndaj sëmundjes së Parkinsonit dhe për të mbledhur fonde për kërkime në Parkinson.

Ruud pati një takim me gazetarë të “Shëndet plus”, në ambientet Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Tiranë, ku tregoi diçka më shumë rreth kësaj eksperience, vendet që kishte vizituar, impresionet që kishte marrë nga secili shtet, si dhe qëllimin e këtij turi.

Para se të diagnostikohej me parkinson, Ruud punonte si menaxher programi në Philips Healthcare. Ai thotë se kjo punë ishte e përkryer për të: komplekse, dinamike, ndërkombëtare, energjike. Derisa viti i fundit u kthye në një torturë. Kur zbuloi se cila ishte arsyeja, ishte shumë zhgënjyese. Megjithatë, të gjitha disavantazhet, vijnë me një avantazh.

“Papritmas kisha shumë kohë të lirë dhe fillova të ushtroja dhe vendosja qëllime të reja. U bëra fizikisht më i fortë përsëri. Ngadalë një pjesë e lodhjes ekstreme u zhduk. Për fat të keq, pjesa kognitive mbetet e frustrueshme keq. Fillova të mendoj rreth këtij udhëtimi dhe duhet ta bëja sa më shpejt. Fillimisht, e ndava idenë me miqtë e mi, të cilët më mbështetën”, thotë Ruud.

I pyetur se cilat janë impresionet që ka marrë nga takimet me shoqata pacientësh në vendet që ka kaluar, ai thotë se ka mbetur shumë i kënaqur.

“Kemi takuar disa shoqata pacientësh në këto shtete. Të gjithë njerëzit që kemi takuar, thonë që: Ju na inspironi sepse ju po bëni diçka. Vitin tjetër do të ftojmë dhe njerëz të tjerë. Qëllimi është rritja e ndërgjegjësimit (informacionit) si dhe rritja e fondeve” shprehet Ruud.

Në të shkuarën udhëtoja në shumë distanca të largëta me biçikletë, dhe e dija që mund ta përballoja. Tani nuk jam më i sigurt. Përpiqem të udhëtoj rreth 150 km km çdo ditë, dhe bëj një ditë pushim pas 5 ditësh. Kështu llogaris dhe distancën që dua të arrij: 80 * 125 km = 10,000 km./Shendeti.com.al

 

No Comments Yet.

Leave a comment