Projekti: RRITJA E CILËSISË SË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËRMES FORCIMIT TË SHOQATAVE TË PACIENTËVE DHE ADVOKIMIT PËR RRITJEN E BUXHETIT NË SHËNDETËSI.

Donator: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Periudha e zbatimit: Korrik 2016 - Prill 2017

Zona e zbatimit: Tiranë, Kukës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Fier, Gjirokastër.

Përfituesit: Organizatat e pacientëve, pacientët, gazetarët të cilët mbulojnë cështjet sociale dhe ato të shëndetësisë, spitalet rajonale dhe shërbimet e QSUT, shoqëria civile, qytetarët shqiptarë.

Përmbledhje e projektit:

Përmes këtij projekti Shoqata “Together for Life” synon nxitjen e përmirësimit të kujdesit shëndetësor ndaj pacientit shqiptar, si dhe të krijojë dhe pilotojë disa praktika të llogaridhënies, transparencës dhe ushtrimit të presionit qytetar ndaj organizmave  dhe institucioneve përgjegjëse të sektorit të shëndetësisë.

Për këtë qëllim, do të synojmë të ndërhyjmë në dy drejtime kryesore:

  1. Të ndjekim situatën e buxhetimit dhe investimeve të aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë në disa spitale rajonale dhe shërbime spitalore të QSUT  “Nënë Tereza”,  për të plotësuar nevojat bazë të mjekimit të pacientëve në zbatim të protokolleve mjekësore të miratuara me ligj dhe numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim.
  2. Të ngremë dhe forcojmë kapacitetet e organizatave të pacientëve në mbrojtje të komuniteteve që përfaqësojnë përballë institucioneve dhe organizmave përgjegjëse.

Metodologjia e ndjekur për realizimin e projektit do të bazohet në dy komponentët kryesorë të ndërhyrjes;

  1. Investigim dhe analiza e sasisë së investimeve të aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë brenda një viti për të plotësuar nevojat bazë të mjekimit të pacientëve në zbatim të protokolleve mjekësore të miratuara me ligj dhe numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim në disa spitale rajonale dhe shërbime spitalore të QSUT “Nënë Tereza”.
  2. Forcim i kapaciteteve dhe bashkëpunimit të organizatave të pacientëve në mbrojtje të komuniteteve që përfaqësojnë, duke nxitur njohjen dhe zbatimin e të drejtave të pacientëve.

Aktivitetet kryesore:

  • Krahasimi i buxheteve të akorduara në 5 vitet e fundit me numrin e  pacientëve përmes marrjes së  informacionit në 8 Shërbimet e targetuara në QSUT dhe 7 spitalet rajonale; intervistave me drejtues të MSH/shërbimeve/spitaleve rajonale, ekspertë, si dhe krahasimit të  të dhënave të marra nga Shërbimet /Spitalet rajonale me ato të Agjencisë Publike të Prokurimeve.  (APP)
  • Investigimi i 10 rasteve të pacientëve me sëmundje të rënda.
  • Trajnim me organizatat e pacientëve për njohjen e kuadrit ligjor.
  • Trajnim i shoqatave të pacientëve lidhur me: hartimin e një plani strategjik për koalicionin; mekanizmat e advokimit dhe lobimit dhe menaxhimin e marrëdhënieve publike dhe komunikimit me mediat.
  • Ngritje e kapaciteteve të shoqatave të pacientëve përmes organizimit të punëtorive me pjesëmarrjen e tyre dhe përfaqësues të medias; përfaqësues të institucioneve shëndetësore; organizatave të shoqërisë civile që merren me të drejtat e njeriut dhe ekspertëve ligjorë të kësaj fushe.
  • Investigime gazetareske dhe mediatizim i çështjeve kryesore më problematike të shoqatave të pacientëve.
  • Ndjekje ligjore i 2 rasteve të pacientëve që iu është shkelur e drejta për kujdes shëndetësor.
  • Hapja e një portali të përbashkët të shoqatave të pacientëve.
  • Tubime me karakter protestues me pjesëmarrjen e të gjitha shoqatat të pacientëve në ditët ndërkombëtare të shëndetit.
  • Hartimi i një raporti të detajuar me gjetjet nga procesi.

No Comments Yet.

Leave a comment