Takimi i tretë me prindërit antarë të Bordeve në kopshtet e Tiranës, nxit lëvizjen qytetare

Shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit Rrjeti “Lëviz për Kopshtin tim”, zhvilloi sot një diskutim me antarët e bordit të prindërve në kopshtet e Tiranës. Gjatë takimit u fol lidhur me mënyrën e funksionimit të bordeve sipas rregullores, rëndësinë e të qënit aktiv në vendimmarrje dhe të përfshirë në veprimtaritë e kopshtit në bashkëpunim me drejtuesit dhe mësueset.

Bordi është një organ kolegjial që ka në përbërje të tij përfaqësues  nga të gjitha strukturat  (prindër, mësues, përfaqësues të komunitetit, Drejtorisë Arsimore, Njësisë Administrative, përbërje e cila krijon hapësirë për bashkëpunim mes aktorëve. Shoqata “Together for Life”  nëpërmjet takimeve të vazhdueshme me antarët e bordit ka për qëllim të nxisë këtë bashkëpunim dhe përfshirjen e prindërve në proceset vendimmarrëse.

Kryetarja e Bordit znj. Leonora Tafa, e cila ishte e pranishme në takim, foli për rëndësinë që kanë këto takime në informimin dhe sensibilizimin e prindërve. “Shpesh herë vihet re një indiferencë apo mungesë interesi nga ana e prindërve, por unë mendoj se ajo që duehet theksuar është se mungojnë mekanizmat për ti nxitur prindërit të reagojnë, të ngrenë zërin, të përfshihen. Takime të tilla janë të nevojshme dhe duhen realizuar më shpesh edhe ndonjë trajnim për ne prindërit ku të mësojmë më shumë mbi mënyrat si duhet të përfshihemi do të ishte i nevojshëm”, tha Tafa.

Qamile Duka, prind  në kopshtin Kodër Kamëz, njëkohësisht dhe antare e Bordit të Prindërve, foli për problematikën me të cilën kopshti Kodër Kamëz po përballet prej 4 vitesh: transferimi në 2 klasa të shkollës 8-vjeçare Isa Boletini, si pasojë e ndërtimit të një kopshti të ri.

“Ne si prindër jemi të shqetësuar sepse fëmijët qëndrojnë në një mjedis aspak të sigurt, kemi ngritur zërin, por nuk ka shkuar dot deri atje ku duhet. Mendoj se fuqizimi i bordeve nëpërmjet informimit, trajnimit apo dhe takimeve periodike mund të ndikojë për mirë në shtrimin e problematikave dhe zgjidhjen e tyre”, tha Duka.

E pranishme në takim ishte dhe drejtoresha e Kopshtit znj. Desantila Ferati, e cila mbështeti inisiativën e  shoqatës “Together for Life” për  fuqizimin e qytetatëve/prindërve si një mekanizëm nxitës në qeverisjen vendore. Ferati  informoi përfaqësuesit e shoqatës lidhur me procesin e zgjedhjes të antarëve të rinj të bordit në muajin tetor si dhe i ftoi ata të jenë pjesë e procesit.

Projekti Rrjeti “Lëviz për Kopshtin tim” mbështetet nga LevizAlbania dhe synon të fuqizojë/mbështesë organizatat lokale dhe të mobilizojë grupimet e qytetarëve për të ndikuar në rritjen drejt trasparencës dhe mirëqeverisjes së pushtetin lokal

No Comments Yet.

Leave a comment