Të drejtat e pacientëve në sistemin shëndetësor: Çdo shërbim merret i gjysmuar

 

Siguria e medikamenteve, mungesa e pajisjeve mjekësore, sorollatjet dhe burokracitë në sistemin shëndetësor ishin disa nga shqetësimet kryesore që ngritën sot pacientët me sëmundje kronike, në vazhdën e sesioneve informuese që shoqata “Together For Life” po zhvillon për fuqizimin, mbrojtjen dhe të drejtat ligjore të pacientëve në sistemin shëndetësor.

“Nëse drejtohesh në sistemin shëndetësor publik për një x shërbim, do e marrësh gjithmonë gjysmak. Ose mungon shërbimi (pajisjet) ose mungon personeli. Analizat nuk bëhen asnjëherë të gjitha dhe detyrohesh të shkosh në privat. Aktualisht në Elbasan ka vetëm një skaner funksional dhe takimi duhet të lihet një muaj para. Në rastin më të mirë, do të duhet të paguash që të hysh pa radhë ose të presësh 1 deri në 2 muaj, tjetra të shkosh tek privati’’, kështu shprehet Kujtimi, të cilin “fati” e ka përplasur jo pak herë nëpër dyert e institucioneve shëndetësore.

Ndërkohë që Xhevahire Muça, e cila vuan nga zemra prej vitesh, përtej kalvarit të gjithë sorollatjeve, kërkon siguri për efektshmërinë e medikamenteve që përdor.

“Unë kam tri vite që marr ilaçe për zemrën e nuk kam parë asnjë përmirësim. Janë të gjitha të skaduara?! Madje mjekët të tregojnë dhe rrugën se tek cila farmaci t’i marrësh, se janë të lidhur me njëri-tjetrin. Shkoj në shtet për të bërë në analizë e nuk e bëj dot, detyrohem e shkoj në privat. Po ajo analizë bën 30 mijë lekë të vjetra, llogarit këtu dhe ilaçet, çfarë më ngelet mua nga pensioni?!

Ndërsa Eraldo tregon eksperiencën e babait të tij.

“Babai bëri check up-in në shtet dhe rezultatet dolën shumë keq. Kur i përsëritëm analizat në privat, gjendja e babait doli normale, e njëjta situatë dhe më nënën. As nuk i jepnim shpjegim, por as nuk dinim ku të ankoheshim”.

Duke e përshëndetur këtë takim, vetë pacientët pranuan se ishin të painformuar mbi të drejtat e tyre dhe se nuk kanë ditur se ku t’i adresojnë këto çështje, ndërkohë që nga ana e saj, TFL premtoi mbështetje ligjore për çdo rast i cili pretendon se u janë mohuar/ shkelur dhe cenuar të drejtat që ligji garanton.

Ky sesion informues u zhvillua në kuadër të projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura”, pjesë e programit të USAID/Albania.

 

No Comments Yet.

Leave a comment