Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë/ Kryetarja e Gjykatës: Të përgatiten dhe propozohen akte nënligjore

Shoqata “Together for Life” realizoi konferencën me temë “Të drejtat e pacientëve në sistemin e drejtësisë” në partneritet me projektin e USAID-it “Drejtësi për të Gjithë”. Qëllim diskutimi ishin të drejtat e pacientëve dhe aksesi i tyre në sistemin e drejtësisë, si dhe angazhimi i autoriteteve përgjegjëse për  të lobuar dhe advokuar për të drejtat e pacientëve.

Në konferencë folën për të drejtat e  pacientëve dhe aksesin e  tyre në sistemin e  drejtësisë Enkeledi Hajro, kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pacientë, peputetë të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Shëndetësisë, përfaqësues të Avokatit të Popullit etj.

Enkeledi Hajro - Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë

“Ju falënderoj shumë për ftesën. Për mua është hera e parë që marr pjesë në një takim për të drejtat e pacientëve. Kam vërejtur se ka një legjislacion që mbron të drejtat e pacientëve, por nuk është i plotë.Ka nevojë për një paketë të plotë ligjesh dhe aktesh nënligjore lidhur me zbatimin e të drejtave të pacientëve.

Është një paketë ligjesh dhe rregullash që duhet të ekzistojnë. Shoqata “Together for Life” mund të kontribuojë për përgatitjen dhe rekomandimin e këtyre akteve nënligjore. 

Për mua më shumë duhet krijimi i kuadrit ligjor, ashti siç nevojiten edhe mekanizmat për t’i vënë në zbatim. Ne kemi një eksperiencë shumë të mirë sa i përket akteve të paraqitura nga shoqatat. Shoqëria civile sot është pjesë e strukturave të shtetit. Shumicën e ligjeve që i kemi sot i kemi nga projektet, pasi kryesisht janë të adoptuara nga vendet e rajonit dhe botës. Unë shpresoj që ju të trajtoni fenomenin në mënyrë gjithëpërfshirëse. Duhet të punoni fort tek plotësimi i kuadrit ligjor”.

Besart Nezaj – Pacient me hemofili

“Gjatë këtyre viteve ne kemi pasur shumë mungesa në medikamente, që ndodh edhe aktualisht në momentet që po flasim. Ne po përpiqemi të lobojmë fort për faktorët e koagulimit që na duhen ne si pacientë. Kemi dërguar shumë shkresa në institucione, por nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje konkrete. Sinqerisht jam shumë i indinjuar për shkak se unë kam vetëm gjimnazin, nuk kam arritur të bëj universitetin dhe kjo ka ndodhur vetëm për shkak se unë nuk kam pasur medikamente”.

Orjola Pampuri – Deputete, anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë

“Ofrimi i shërbimit në kushtet e duhura është e drejta bazë e pacientëve. Një ndër pikat e tjera është edhe mungesa e medikamenteve ose ofrimi i medikamente pa cilësi. Këto janë dy nga çështjet më problematike me të cilat ne ndeshemi në sistemin shëndetësor.

Një ndër problematikat e tjera është edhe buxheti dedikuar sistemit shëndetësor për vitin 2018. Unë po e shpreh hapur se buxheti i vitit të ardhshëm është më i ulët se vitet e tjera, prandaj duke pasur një buxhet të tillë nuk mund të kemi rritje të cilësisë. Ju premtoj se në fjalën time të parë në Komisionin e Shëndetësisë dhe në Parlament do të diskutoj gjetjet e këtij takimi të sotëm”.

Eglantina Bardhi – Drejtore ekzekutive, shoqata “Together for Life”

“Një ndër qëllimet kryesore të shoqatës sonë dhe të këtij programi është që ne të rrisim aksesin e pacientëve në sistemin e drejtësisë. Aktualisht shoqata “Together for Life” ka përgatitur 3 dosje ku janë shkelur të drejtat e pacientëve në sistemin shëndetësor apo nuk kanë marrë mjekimin sipas protokolleve që mbrohen me ligj. Shumë shpejtë, së bashku me “Komitetin Shqiptar të Helsinkit” do të kemi çështje të tjera për të referuar. Ka ardhur koha që pacientët të dëmshpërblehen, të trajtohen me dinjitet dhe t’u zbatohen të drejtat”.

Lindita Xhillari – Përfaqësuese e Avokatit të Popullit

“Ne kemi shumë raste të referuara për të cilat po punojmë dhe dërgojmë rekomandime tek institucionet në mënyrë që të ketë përmirësim në këtë sektor. Kemi pasur një bashkëpunim konkret me shoqatat dhe pacientët. Kemi disa raste të referuara nga shoqata “Together for Life”, të cilat po i trajtojmë me përparësi.

Krahas kësaj, përfaqësuesi i Urdhrit të Mjekut, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit ofruan mbështetjen e tyre për problematikat e hasura në sistemin shëndetësor.

Në takim ishin gjithashtu të pranishëm drejtues të shoqatave të pacientëve, anëtarë të shoqërisë civile dhe studentë./ TogetherForLife.org.al

 

No Comments Yet.

Leave a comment