Shërbimi Kombëtar i Punësimit, BPO të përfshira në programet e nxitjes së punësimit

Qeveria, politika dhe legjislacion të ri në fushën e punësimit dhe aftësimit për punë  

Nё mars të vitit 2019, Kuvendi i Shqipërisë  miratoi Ligjin e ri “Pёr nxitjen e punёsimit” që, sipas drejtuesve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (SHKP), i hapi rrugën ndryshimeve thelbёsore strukturore të institucionit dhe ndryshoi qasjen e tij ndaj politikave tё punёsimit dhe aftёsive profesionale. Ky ligj ishte në vazhdën e ndryshimeve që solli në vitin 2017 Ligji “Pёr arsimin dhe formimin profesional”, i cili për herë të parë e lidhi këtë fushë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me zhvillimin e Tregut të Punёs dhe politikat shtetërore të punёsimit.

Dy ligjet kanë në qendër të tyre fuqizimin e punëkërkuesve, nëpërmjet aftёsimit për punë dhe politikave aktive tё punёsimit, të cilat çojnë në punёsim të plotë dhe të denjё tё çdo individi në Republikën e Shqipërisë.

Ligjet sollën ndryshimin e të gjithë bazës ligjore në fushën e punësimit dhe të formimit profesional, duke sintetizuar për herë të parë komponentin aftësi me punësimin. Pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për Nxitjen e Punësimit” në 2019, ndryshoi jo vetëm misionin, por edhe emir i institucionit qendror përgjegjës për zbatimin e politikave qeveritare në fushën e aftësimit professional dhe punësimit, du e kthyer nga Shërbim Kombëtar të Punësimit (SHKP) në Agjenci Kombёtare të Punësimit dhe Aftёsive (AKPA). Sipas drejtuesve të SHKP/ AKPA, të cilët po drejtojnë procesin e riorganizimit të këtij institucioni, për herë të parë Agjencia do të ketë edhe një strukturë të posaçme, përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e njё strategjisë dedikuara bashkëpunimit e marrëdhënieve me punëdhënësit, të cilët konsiderohen si partnerët më të rëndësishëm të këtij institucioni dhe të zyrave të punësimit në të gjithë vendin.

Programet për nxitjen e punësimit do të ofrojnë mbështetje të veçantë për punëkërkuesit dhe për sipërmarrësit e rinj

Miratimi i Ligjit “Për Nxitjen e Punësimit” i hapi rrugën hartimit dhe miratimit të VKM-ve të reja të programeve të nxitjes së punësimit. Për herë të parë programet e nxitjes së punësimit, përveç mbështetjes për punësimin, formim dhe praktikat profesionale, do të mbështesin edhe hapjen e bizneseve të reja. Po ashtu, zyrat e punësimit, nëpërmjet programeve të veçanta, do të mbështesin jo vetëm punësimin e punëkërkuesve të papunë nëpër biznese, por edhe punësimin e tyre në punë komunitare.

Një risi tjetër e legjislacionit të ri në fushën e programeve të nxitjes së punësimit është mbështetja me bonuse të veçanta të punëkërkuesve të papunë që do të angazhohen në projekte të veçanta nxitjeje, të tilla si mbulimi i kostove të transportit për punëkërkuesit e papunë jetimë, prindër të vetëm me fëmijë nën 6 vjeç, prindër me fëmijë me aftësi të kufizuara, viktima të trafikimit, viktimat e dhunës në familje ose dhunës me bazë gjinore, përfitues të ndihmës ekonomike; si dhe mbulimi i kostove për ndjekjen e kopshteve dhe çerdheve për prindërit e vetëm me fëmijë në ngarkim dhe që kanë të vështirë punësimin pikërisht për këtë arsye.

Sipas AKPA, në janar të vitit 2020 u miratua VKM ­­17 “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit, formimit në punë dhe praktikave profesionale” dhe po këtë vit pritet të miratohet edhe Programi i Vetëpunësimit, i cili mbështet sipërmarrjet e reja, nëpërmjet granteve për përfituesit si dhe Programi i Punësimit në komunitet, me fokus trajnimin e fuqisë punëtore dhe integrimin e përvojës së disponueshme në tregun e punës, duke ofruar shërbime të vlefshme komunitare.

Programi i nxitjes së punësimit nëpërmjet trajnimit në vendin e punës, program prioritar edhe në vitet në vijim 

Programi “Për nxitjen e punësimit nëpërmjet trajnimit në vendin e punës”, i njohur ndryshe si programi i VKM 47, është konsideruar si një nga programet bazë që janë aplikuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe zyrat e punësimit. Interesi për këtë program ka qenë i lartë si nga ana e bizneseve, të cilat kanë aplikuar dhe janë mbështetur me fonde për zbatimin e këtij programi, ashtu edhe nga zyrat e punësimit, për arsye se nëpërmjet tij formohen në vendin e punës punëkërkues të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, të cilët nuk kanë ndonjë profesion apo formim specifik. Ky program, konsiderohet nga Agjencia si programi që i përshtatet më së miri nevojave për formimi dhe punësim të grupeve që mbulojnë me shërbime zyrat e punësimit.

Edhe pas ndryshimeve ligjore, ky program do të vazhdojë të jetë një nga programet bazë që do të zbatohet në vitet në vijim nga AKPA dhe zyrat e punësimit. Pikërisht programi i formimit në vendin e punës ka qenë një nga programet e miratuara në fillim të janarit 2020. Drejtues të AKPA sqarojnë se ky program, ashtu si dhe programet e tjera, prej këtij viti do të zbatohet bazuar në kërkesat dhe interesin e punëkërkuesve për të dhe jo vetëm të punëdhënësve, siç ka ndodhur deri tani. Sipas Agjencisë, tashmë ky program do të ofrojë mundësi për çdo  punëkërkues të papunë që të përfshihet në çdo sektor apo fushë aktiviteti që dëshiron, ndërkohë që programi i zbatuar sipas VKM 47 përfshinte vetëm disa lloje biznesesh dhe profile punësh të caktuara.

Këshillim dhe orientim për karrierë

Me ndryshimet e fundit Agjensia Kombëtare e Punësimit dhe Formimit merr një rol të rëndësishëm, veçanërisht në në fushën e këshillimit dhe orientimi për karrierë, me fokus orientimin e formimit të të rinjve në profesione të përshtatshme, bazuar në cilësitë individuale dhe zhvillimin e tregut të punës.

Që nga viti 2019 SHKP/AKPA filloi te aplikoje kurset 2 javore Start Smart, të cilat fokusin kryesor e kanë në pajisjen e punëkërkuesve të papunë me aftësi bazë për tregun e punës, si dhe me evidentimin e aftësive personale të secilit prej tyre dhe orientimin drejt kurseve të formimit profesional më të përshtatshme bazuar pikërisht në këto aftësi.

AKPA sqaron se tashmë planifikimi dhe hartimi i kalendareve të kurseve të formimit profesional bëhet nga zyrat e punë,s në bashkëpunim me qendrat e formimit profesional, duke pasur si synim plotësimin e kërkesave të punëkërkuesve të papunë për formim si dhe kërkesat e bizneseve për aftësi të caktuara.

Qasja e institucioneve ndaj sektorit të BPO në mbështetjen me programe të nxitjes së punësimit

Sipas AKPA, sektori i BPO, edhe pse nuk ka qenë prioritet për programet e nxitjes së punësimit, është përfshirë dhe mbështetur nga fondet publike të dedikuara për bizneset në hapjen e vendeve të reja të punës. Ky sektor, nga Agjecia konsiderohet përgjithësisht si sektor elitar, i cili preferon të rinj me kualifikim dhe aftësi mbi nivelin mesatar që ofron krahu i punës në tregun shqiptar. Nga ana tjetër kjo kategori punëkërkuesish me aftësi të mesme të larta profesionale nuk përbëjnë kontigjentin kryesor të punëkërkuesve që trajtohen dhe mbështeten nga zyrat e punësimit. “BPO është sektor që ka nevojë për krahë pune të kualifikuar dhe hapja e vendeve të reja të punës do të ndodhi edhe pa mbështetjen e tyre me programe të nxitjes së punësimit”, shprehen drejtues të lartë të këtij institucioni.

Prioritet për zyrat e punësimit në zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit kanë qenë sektorët të cilët punësojnë punëkërkues të papunë të përjashtuar nga tregu i punës, të cilët u përkasin grupeve të veçanta, kryesisht atyre me probleme sociale, të cilët kanë nevojë të mbështeten për punësim.

Sipas të dhënave të Agjensisë, gjatë vitit 2019, në fushën e Teknologjisë së Komunikimit dhe Informacionit janë shpallur në rang vendi rreth  250 vende të lira pune për specialistë me arsim të lartë nga bizneset që veprojnë në këtë fushë dhe nga zyrat e punësimit janë plotësuar rreth 54% e tyre. Ndërkohë që nga 2,330 vende të lira pune të shpallura në fushën teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për teknik dhe specialistë të mesëm, janë plotësuar me ndëmjetësimin e zyrave të punës vetëm 28%.

Në fushën e call centers, gjatë vitit 2019 biznesi ka deklarua pranë zyrave të punësimit në të gjithë vendin rreth 5,400 vende të reja punë, nga të cilat janë plotësuar nga zyra e punësimit rreth 45% prej tyre.

Në total këto profesione zenë rreth 16% të vendeve të lira të shpallura gjatë vitit të kaluar dhe, në fund të dhjetorit 2019. Ndër rajonet me numrin më të madh të punësimëve në këto fusha sipas AKPA janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora.

Nga këto të dhëna është e dukshme se sektori i BPO, edhe pse ka një peshë të rëndësishme në punësimin e të rinjve, ende nuk ka marrëdhënie të konsolidura me zyrat e punësimit. Forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të ardhmen do të ndikonte në rritjen e mbështetjes shterërore për këtë sektor për hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe përmirësimin e nivelit arsimor të punëkërkuesve që kërkojnë dhe marrin shërbime nga këto zyra. Përmirësimet ligjore më të fundit në fushën e aftësisë dhe punësimit, janë një mundësi e mirë  për bashkëpunim më të mirë dhe më të frytshëm dypalësh zyra punësimi – sektor BPO.

No Comments Yet.

Leave a comment