Largimi masiv i mjekëve drejt Gjermanisë, shkaqet dhe dokumentet që tregojnë gjithë të larguarit

Denisa Canameti

Për tre vitet fundit ka shkuar në 400 numri i mjekëve që kanë bërë kërkesë të largohen nga Shqipëria. Ndërkohë, Gjermania është destinacioni i preferuar për shkak se ky shtet njeh çdo diplomë, certifikatë apo specializim të bërë. Kriteri i vetëm është gjuha.

Pavarësisht nevojave të theksuara të vendit tonë për mjekë e sidomos mjekë specialistë, këta të fundit refuzojnë t'i ofrohen një vendi i cili nuk ofron as kushtet më minimale të punës, duke fyer rëndë dinjitetin e të qenit mjek, siç janë shprehur vetë ata në intervista të ndryshme.

Në një intervistë për Together For Life, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, flet për numrin e mjekëve që kanë bërë kërkesë për t'u larguar, si dhe arsyet e këtij vendimi.

Sipas regjistrit që ky institucion disponon, në vitin 2016 kanë bërë kërkesë për të tërhequr një certifikatë që dëshmon sjellje të mirë të mjekut në punë 145 mjekë, çka nënkupton edhe aplikimin e tyre për t'u larguar nga vendi.

"Nëse Fakultetit i Mjekësisë nxjerr 150 mjekë në vit, po kaq mjekë bëjnë kërkesë për t'u larguar çdo vit. Praktikisht, po na ikin të gjithë", thotë doktor Brahimaj .

Viti 2016, 31 mjekë specialistë dhe 114 mjekë të përgjithshëm vendosin të largohen

Statistikat e nxjerra nga Urdhri i Mjekut japin një shifër të rritje të mjekëve që kanë vendosur të largohen për vitin 2016. Rezulton se janë 31 mjekë specialistë dhe 114 mjekë të përgjithshëm të cilët kanë vendosur që të mos rrinë më në Shqipëri por t'i drejtohen vendeve të tjera (kryesisht Gjermanisë). Pra rezulton se janë 145 mjekë që kanë vendosur të largohen gjatë vitit 2016, më i keqi nga tre vitet e fundit, teksa në vitin 2014 kërkesat ishin nga 132 mjekë, ndërsa në vitin 2015 nga 120 mjekë. Përmirësimi i vogël i vitit 2015 duket se është pasuar nga një rritje më e madhe në vitin që shkoi duke treguar se situata për mjekët në Shqipëri nuk është përmirësuar aspak.

Ministria: Mungojnë 300 mjekë. UMSH: Çdo vit 150 mjekë largohen nga vendi

Spitalet e rretheve vuajnë prej kohësh mungesën e specialistëve, duke u kthyer kështu në godina të pavlera dhe sakrifikuese për ata pak mjekë që japin shërbim në çdo specialitet që munden.

"Anesteziolog nga Fieri deri në Greqi është vetëm një në Gjirokastër. Që e gjithë Shqipëria ka gjithsej nja 70 anesteziolog, që 70 nuk i dalin vetëm QSUT-së. Ai është dhe reanimator", thotë Brahimaj.

Pas bërjes së evidencave për nevojat e spitaleve rajonale për mjekë specialistë rezulton se në të gjithë vendin ka mungesë të 300 mjekëve. Për të stimuluar bluzat e bardha të punojnë në këto rajone, qeveria miratoi në gusht bonusin prej 100.000 lekësh shtesë mbi pagë. Në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në të vitit të shkuar, Ministri i Shëndetësisë evidentoi se pavarësisht bonusit, fatkeqësisht, vetëm 7 mjekë kanë pranuar të shkojnë nëpër rrethe.

Mjekët jo vetëm që refuzojnë të shkojnë nëpër rrethe, por kanë vendosur që të largohen përfundimisht nga Shqipëria. Duke e thelluar edhe më shumë hendekun e mungesave nëpër spitale, jo vetëm në rrethe. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, thotë se janë të paktën 3-4 mjekë në javë që vijnë e marrin te një certifikatë të sjelljes së mirë, një vërtetim që ndaj tyre nuk është marrë masë ndonjëherë.

"Më ka bërë përshtypje vitin që fillova punë. Edhe tani vazhdon njësoj. Të paktën 3-4 mjekë në javë, mos të them më shumë, kërkojnë certifikata të sjelljes së mirë. Kur e shikoj sa i shpeshtë ishte ky fenomen kërkoj që të hapet një regjistër e të mbahen shënime.

Në dy vitet e kaluara 2014-2015 ishin mbi 250 mjekë që i kishin kërkuar këto certifikata. Mirëpo Fakulteti i Mjekësisë nxjerr rreth 150 mjekë në vit. Praktikisht ne po na ikin të gjithë.

"Më kërkoi Avokati i Popullit në një konferencë.  Ai kërkoi që të parashtronim problemet. Një nga problemet që them unë, është largimi i mjekëve. Ndërkohë, zëdhënësi i ministrisë merr fjalën dhe jep përgjigje: "Po trumbetohet largimi i mjekëve. Por ajo është e drejta e tyre", thotë Brahimaj.

Pse dështoi politika e Ministrisë së Shëndetësisë për shpërndarjen e mjekëve nëpër rrethe

Ne heqim nga një xhep në tjetrin, thotë Fatmir Brahimaj. Nuk është se ne shtojmë numrin e mjekëve. Ideja është që të ndërtojmë politika që t'i mbajmë këtu mjekët. T'u përmirësojmë pagat, kushtet e punës, të sillen aparatura të reja, bashkëkohore.

Nëse kam kushte të mira pune, kam pagë të mirë, kam mundësi të bëj të njëjtën gjë në të njëjtin nivel si të tjerët, nuk kam pse iki.

Në Tiranë ka mangësi të vogla. Në rrethe ka mungesa të mëdha, sidomos të specialistëve. Ideja është që sidomos në rrethe, specialistët na mungojnë. Kemi zona të zbuluar pa mjekë.

Në Burrel është mbyllur materniteti se nuk ka obstetër. Problemi tjetër është që këta që na mbeten, mbingarkohen. Po u mbingarkove, do të bjerë cilësia e shërbimit. Nuk mund të arrijmë një respektim të standardit. Nuk është zgjidhje, sepse nuk e rrit numri. Ai ikën nga një spital i Tiranës dhe shkon diku tjetër. Këtu nuk janë tepër. Kjo është për ta joshur, por nuk është tepër.

Largimi i mjekëve nuk është vetëm çështje pagash

"Largimi i mjekëve nga vendi nuk është vetëm çështje pagash. Mjekët duan kushte pune, duan mjete diagnostikuese dhe kuruese. Duan kushte për t'u rritur në karrierë. Duan besim më të madh nga ana e pacientëve. Ka një krizë shumë të madhe besimi mjek-pacient. Një milet që mendon se vetëm mjeku e ka fajin. Në vendet e zhvilluara nuk ka njerëz që kanë dëshirë të bëhen mjekë. Se mjekësia kërkon të sakrifikosh nga vetja.

"Këtë vit mjekësia në vendin tonë, si rrallë herë radhitej në vendin e 16-të nga e para degë e preferuar që ka qenë. Është rritur edhe ngarkesa e punës. Nuk mund të bëjë mjeku 100 vizita. Pyes një mjek në Vlorë, dhe më thotë që për një ditë kishte bërë 130 vizita dhe 45 shtrime. Për 24 orë, të vesh t'i numërosh këta se është e lodhme. Çfarë standardi do t'i kërkosh këtij mjeku?! Hajde e gjykoje se pse bëri një gabim", thotë Brahimaj për "Together For Life".

Specialitetet që kanë më shumë mungesa:

Reanimatorët janë më problematikët në mungesa

Kardiologët

Neurologët

Obstetrit

Kirurgët

Numri i mjekëve specialistë afër moshës së pensionit, i lartë

Berati vjet ka raportuar për 17 mjekë specialistë që kishin mbushur moshën e pensionit.

Bulqiza mbahet me një mjek të përgjithshëm.

Burreli ka mbyllur maternitetin.

Numri i mjekëve të licencuar për këtë vit

Numri i licencave është 292 për këtë vit. Nga këta, 49 janë mjekë të huaj.

Ilir Ohri: Mungesa e specialistëve nëpër rrethe, për faj të politikave të gabuara

I pyetur lidhur me mungesat e specialistëve në rrethe, shefi i Reanimacionit në QSUT, Ilir Ohri thotë: "Urdhri i Mjekut vetë e ka bërë gabimin. Pse ua kanë dhënë të drejtën që të vijnë të punojnë në Tiranë? Reanimatorët, edhe nëse nuk gjejnë vend këtu, zgjedhin të punojnë më mirë në privat. Kur mbaron specializimin, ku do punosh? Ke ardhur për këtë rreth, do të kthehesh prapë atje. Ai nuk do të kthehet në rreth. Atëherë të vendosen penalitete. Por penalitete shumë të mëdha. Sot vetëm kthehet paga që ka marrë gjatë kohës së specializimit".

I pyetur nëse si shtet i kemi aq reanimatorë sa të plotësojmë nevojat e spitaleve në vend, doktor Ohri thotë: "Po t'i heqim nga privati, i kemi. Të licencuar i kemi. Në Librazhd është një mjeke që punon atje. Pse të mos punojë dhe një në Bajram Curri? Kjo do të na ndihmonte shumë se pacientët nuk do të vinin për një apendicit në Tiranë. Pra, problemi qëndron te mënyra e shpërndarjes. Sa kohë që shteti u ka dhënë të drejtën të punojnë edhe në privat, do të kemi mungesa. Mjeku në privat merr mjaftueshëm dhe nuk e shikon të arsyeshme të shkojë në rrethe. Rroga mesatare e një mjeku reanimator është 500 mijë lekë (të vjetra). Në privat flitet me euro. Vetëm një mjek reanimator ka pranuar bonusin prej 1 milion lekësh. Edhe ai ishte pa punë".Rezulton se në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore tendenca është e përbashkët. Popullata po plaket dhe bashkësia e mjekëve gjithashtu.“Ne po kërkojmë që të sensibilizojmë politikëbërësit, sepse kemi arritur në një numër sot që aq sa na diplomohen, aq na ikin. Për analogji, Sllovakisë i ikin një numër mjekësh që është sa 10% e atyre që diplomohen, dhe qeveria e tyre kishte rritur pagat dhe kishte premtuar që për 3 vjet rresht do t’ua rriste me 10%”, u shpreh Fatmir Brahimaj.

Pse largohen mjekët nga institucionet shtetëore

“Mënyra e sjelljes ndaj personelit mjekësor do të bëjë që pjesa më e madhe e mjekëve të largohen dhe shërbimin ndaj pacientëve do ta bëjë vetëm administrata e ministrisë apo e vetë QSUT-së apo ndoshta dhe mjekë që kanë harruar sesi shkruhet një recetë apo mbahet stetoskopi”, deklaroi disa muaj më parë mjeku infeksionist Tritan Kalo ndërsa u fol për largimin e një prej mjekëve kardiovaskular nga shërbimi i dializës, largim që la bosh një post të rëndësishëm në qendrën më të madhe spitalore në vend. Në po të njëjtin rast, Dritan Vasili, një ndër mjekët që ka lënë QSUT-në për t’u vendosur në një spital privat tha se “nuk u larguam nga QSUT, por na përzunë”. Sipas Vasilit shkaqet pse mjekët kanë ikur dhe do vazhdojnë të ikin nga institucionet shëndetësore spitalore janë të njëjtat:

-problemet infrastrukturore në pajisje dhe materiale me pasojë pamundësinë për të kryer atë për të cilën mjeku është programuar gjatë studimit të tij mbi 12-vjeçar.

-presioni i përditshëm me vendin e punës që nga shefi e deri tek administrata për të mbyllur gojën lidhur me mungesat e mësipërme.

-presioni nga pacientët dhe familjarët për mosmarrjen e një shërbimi adekuat (më të drejtë)

-Kthim në një jetë dinjitoze. Nuk shtyhet si lypës gjithë jetën duke parë nga duart e pacientëve të lodhur.

-Pamundësia për të implementuar projekte, ëndrra profesionale.

 “E vetmja gjë që u ka mbetur bluzave të bardha, është që të mbajnë sytë drejt Gjermanisë”, u shpreh në komentin e saj një infermiere e QSUT-së.

Gjermania lehtëson procedurat e punësimit

Sipas të dhënave, rezulton se mjekët që largohen, synojnë kryesisht Gjermaninë. Brahimaj tregon se Gjermania i njeh të gjitha diplomat, certifikatat, specializimiet etj. 

Në shumë spitale gjermane mungojnë mjekët dhe personeli mjekësor. Specialistët nga jashtë janë gjithmonë të mirëseardhur. Edhe në Afrikë të kesh mbaruar studimet se diploma njihet, thotë doktor Brahimaj. Para se mjekët të shkojnë në Gjermani për të punuar, ata duhet të kapërcejnë pengesën e gjuhës. Kusht është, që ata të kenë të paktën nivelin e gjuhës B1, ideale është B2. Falë ligjit të ri gjerman për njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë shtetit që hyri në fuqi më 1 prill 2012, marrja e lejes për të punuar si mjek në Gjermani nuk lidhet më me shtetësinë e mjekut. Në Gjermani nuk është e mirë vetëm pagesa, por edhe mundësitë e arsimit dhe të trajnimit janë më të mira. Ndihmë mjekëve të huaj u jepet edhe për të përballuar sfidat me autoritetet e ndryshme në Gjermani: zyrat e të huajve, zyrat tatimore, apo komisionet për provimet mjekësore.

1 Response

  1. Jam mjeke dhe mendoj se nje arsye tjeter qe duhet permendur per largimin e mjekeve eshte dhe mosmotivimi i punimeve & studimore shkencore, gradave shkencore kur punon mjek specialist ne Rajon. Mosvleresimi (vlera zero) nuk nxit kerkimin dhe studimin ne rajone dhe ta ben punen monotone.

Leave a comment