Partitë politike, në fushatë me strategji të cunguara për zhvillimin e shëndetësisë

Analizë e programeve politike për shëndetësinë

Pandemia Covid-19 rezultoi më shumë një sfidë e sistemit qeverisës sesa e sistemit shëndetësor. Me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021 në vend, shoqata “Together for Life” (TFL), me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer ka realizuar një raport i cili analizon programet e gjashtë partive politike, duke u fokusuar veçanërisht tek pjesa që i kushtohet sektorit shëndetësor.

Partitë e monitoruara janë tre partitë kryesore në vend: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe tre partitë që kandidojnë për herë të parë, por që vijnë me një potencial politik: Nisma Thurje, Bindja Demokratike dhe Lëvizja për Ndryshim.

Kjo analizë shërben për të kuptuar rëndësinë që ka shëndeti i popullatës për partitë politike që kërkojnë që të qeverisin vendin; të kuptohet nëse ka programe, platforma zhvilluese me vizion, mision dhe strategji dhe këto programe të prezantuara a janë të zbatueshme apo propozimet për ndërhyrje dhe zhvillim të sistemit shëndetësor do të mbeten vetëm në letër në kuadër të premtimeve elektorale.

Nga këta gjashtë parti politike, rezulton se vetëm katër e kanë të ngarkuar të faqen zyrtare programin politik 2021-2024.

Partitë politike kanë dhënë premtime të ndryshme, por kanë edhe pika të përbashkëta, sikurse është reformimi i sistemit shëndetësor. Katër parti politike bashkohen në rimodelimin e financimit publik për shëndetësinë. Në daljet publike për programin e shëndetësisë të katra partitë flasin për autonomi spitalore, për rritjen e pagave të personelit mjekësor, për rritjen e cilësisë së shërbimit mjekësor ndaj pacientit.

Gjetjet e raportit:

  • Shëndetësia është pjesë e programeve politike e vetëm pesë partive politike nga gjashtë të monitoruara.
  • Pikat e plota të programit për shëndetësinë i kanë publikuar vetëm katër parti.
  • Pesë parti politike të përfshira në analizë kanë pikë të përbashkët autonominë spitalore.
  • Të tre partitë e mëdha politike duket se e kanë shëndetësinë prioritet të programeve të tyre politike, duke u përqendruar në tre shtylla kryesore riorganizimin e sistemit shëndetësor, cilësinë e medikamenteve dhe investimet në shëndetin publik.
  • Në tre partitë e reja, vetëm dy kanë një program publik në përgjithësi, dhe kanë publikuar prioritetet për shëndetësinë në veçanti
  • Asnjëra nga partitë politike nuk ofron një strategji kombëtare veprimi për përballimin e situatës së pandemisë Covid-19 e cila pritet të vijojë pa një afat të caktuar.
  • Të gjitha partitë premtojnë reforma në sistemin shëndetësor, por nuk parashikohet në asnjë rast rritja e financimit për shëndetësinë, të paktën sa vendet e rajonit në raport me GDP/PBB-në.
  • Parashikohen investime në shëndetin publik dhe në zhvillimin e sistemit shëndetësor parësor, por nuk parashikohet krijimi i regjistrave të të dhënave për sëmundje jo infektive si një domosdoshmëri për statistika për planifikimet më të mira në të ardhmen në sistemin shëndetësor.

Disa rekomandime:

  1. Të publikohen dhe të bëhen transparente në faqen zyrtare të secilës parti programet qeverisëse për 4-vjeçarin e ardhshëm 2021-2025.
  2. Secila pikë e programit për shëndetësinë të ketë edhe strategjinë e zhvillimit; se si do të arrihet reformimi, me çfarë komponentësh ligjore dhe financiare, si do të motivohet stafi mjekësor, si do të rritet numri i profesionistëve të mjekësisë, profesionistëve të specializuar në mbulimin e popullatës me shërbim mjekësor në rang vendi etj.
  3. Programet politike dhe veçanërisht pikat e programit të shëndetësisë duhet të marrin parasysh edhe personat me aftësi të kufizuara, pra, të jepen në gjuhën, mënyrat dhe mjetet e komunikimit më të përshtatshme për ta. Në faqet zyrtare të partive politike të jenë të aksesueshme programet e leximit për personat që kanë nevojë për shkrim të madh apo kontrast, si dhe gjuha e shenjave për personat që nuk dëgjojnë. Aksesueshmëria në informacionet e publikuara në faqet zyrtare do t’u mundësonte personave me aftësi të kufizuara të informoheshin dhe të merrnin pjesë në jetën politike dhe publike.
  4. Të gjitha pikat e programit për shëndetësinë të shoqërohen edhe me faturë financiare për të kuptuar nëse janë parashikuar kufizimet buxhetore dhe sesa të realizueshme këto reforma mund të jenë. Për shembull, gjatë zgjedhjeve politikanët shpallin politika ambicioze shëndetësore që nuk janë të realizueshme financiarisht ose administrativisht (në një periudhë afatshkurtër ose afatmesme).
  5. Partitë politike të shfrytëzojnë hapësirat mediatike për të bërë publike pikat e programit për shëndetësinë, duke argumentuar se si preken të gjitha grupet e interesit, afatet kohore dhe mënyrën e realizimit të secilës pikë.

No Comments Yet.

Leave a comment