Përditësim mbi Progresin Shkencor për COVID-19

Përditësim mbi Progresin Shkencor për COVID-19

Konsiderata hematologjike për klasifikimin e ashpërsisë së sëmundjes tek pacientët me COVID-19:

Modeli kohor i përqindjes së limfociteve

Shpërthimi epidemik aktual nga koronavirusi i ri SARS-CoV-2 (ose 2019-nCoV) dhe infeksionit të cilin ai shkakton (COVID-19) ka vendosur përpara pasigurisë së lartë vendime të caktuara klinike. Megjithatë, shtimi eksponencial i kuptueshmërisë dhe bashkëpunimi e komunikimi i shpejtë e i kohëduhur ndërmjet komunitetit shkencor (kryesisht epidemiologjik e klinik), ka mundësuar ndarjen e praktikave e modeleve më të mira, të cilat ndihmojnë në menaxhimin e pacientëve me COVID-19 në vende të ndryshme, përfshirë edhe vendin tonë. Manifestimet klinike të COVID-19, të përshkruara deri tani, përfshijnë ethet, kollën, këputjen, dhimbjet muskulore, diarrenë dhe pneumoninë – kjo e fundit me një potencial evident për tu shndërruar në sindromë të distresit respirator akut, acidozë metabolike, shok septik, disfunksion koagular dhe madje deri në insufiçiencë multiorganore (p.sh. e heparit, veshkave dhe zemrës) (për detaje shihni referencat [1-3]). Për momentin, edhe pse nuk ka një trajtim medikamentoz efektiv, veç suportit klinik standart gjithëpërfshirës, rastet e lehta me COVID-19 mund ta marrin veten në një kohë shumë të shkurtër pas ndërhyrjes klinike së përshtatshme e në kohë. Rastet e moderuara të pacientëve me COVID-19, veçanërisht të moshave geriartrike ose kategorisë me kushte shëndetësore ekzistuese, kanë më shumë gjasa të përjetojnë ashpërsim të simptomatologjisë, të kalojnë në gjendje kritike e madje deri në vdekje (për detaje shihni referencat [2, 3]). Megjithatë, ende nuk kemi një karakterizim të kompletuar për treguesit e ashpërsisë së sëmundjes, reagimin (-et) ndaj terapisë (-ve) dhe pasojat afatgjata të infeksionit. Kërkimet vazhdojnë, e deri në momentin që do të ketë një konsensus të gjerë për këta indikatorë, kujdesi dhe mjekimi i arsyeshëm, i bazuar në gjykimin klinik e epidemiologjik, mund të ndihmojë në reduktimin e ashpërsisë, komplikacioneve dhe vdekshmërisë nga COVID-19.

No Comments Yet.

Leave a comment